Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) janë detyruar të hyjnë sot në një grevë njëorëshe, pasi edhe në ditën e 17-të nuk kanë marrë pagat për të cilat punojnë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, njoftoi se edicioni i lajmeve i orës 11:00 nuk ka shkuar në transmetim, si shenjë pakënaqësie dhe paralajmërim për situatën.
“Ne jemi në transmetim të drejtpërdrejt si televizion publik, por sot jemi në formën jo të dëshiruar që kemi ardhur në grevë. Kjo është paralajmërim. Lajmet e orës 11:00 nuk po transmetohen, për shkak se 700 punëtorë janë pa paga dhe në gjendje shumë të rëndë. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të gjejë një zgjidhje ligjore sa më shpejt,” tha Bimbashi.
Ai gjithashtu kërkoi që partitë politike të mos implikojnë RTK-në në çështjet e tyre, duke theksuar se televizioni publik duhet të mbetet profesional dhe i pavarur.
“Ne do të presim deri të hënën. Nga e hëna do të fillojë greva me masa më të rënda. Situata është shumë e rëndë sepse 700 familje janë pa paga. Në vend se të kërkojmë rritje, po kërkojmë thjesht pagën që na takon me ligj. I bëjmë thirrje aktorëve të mos lejojnë bllokimin e televizionit publik. Ne do ta mbrojmë televizionin publik me çdo çmim,” shtoi Bimbashi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se institucionet e Bashkimit Evropian janë informuar për situatën, duke kërkuar ndërhyrje për të shmangur që situata të dalë jashtë kontrollit./Katror.info











