Mbahet sot takimi i shtatë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë në Bruksel. Ky takim do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 5 ‘Burimet, bujqësia dhe kohezioni’, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).
Në përfundim të takimit, Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos në Bruksel.
Më pas, sipas axhendës së bërë me dije nga gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani, kryeministri Rama do të zhvendoset në Holandë, në Hagë, ku do të zhvillojë një takim zyrtar me homologun e tij holandez, për t’u rikthyer sërish në Bruksel për një tjetër event që do pasojë ditën e nesërme.
Mes këtyre takimeve të konfirmuara mbeten dhe takime joformale që i shërbejnë procesit të integrimit të Shqipërisë dhe rrugëtimit të saj në Bashkimin Evropian.
Kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua më 24 prill 2009. Më 9 nëntor 2010, Komisioni Evropian lëshoi opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Komisioni vlerësoi se përpara se negociatat e pranimit të hapeshin zyrtarisht, Shqipëria duhej të arrinte ende një shkallë të nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, veçanërisht për të përmbushur 12 prioritetet kryesore të identifikuara në opinion.
Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat, me kusht që të përfundojnë masat kryesore në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe të rishikohet rregullorja e procedurave parlamentare.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE në qershor të vitit 2014.
Në prill 2018, Komisioni Evropian lëshoi një rekomandim për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në qershor 2018, Këshilli miratoi përfundime, në të cilat ra dakord të reagonte pozitivisht ndaj progresit të bërë nga Shqipëria dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor 2019.
Më 24 mars 2020, ministrat për çështjet evropiane dhanë marrëveshjen e tyre politike për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo u miratua zyrtarisht me procedurë të shkruar dhe u miratua nga Këshilli Evropian ditët në vijim./RTSH/Katror.info
















