Revolucioni i inteligjencës artificiale po përshpejtohet, dhe Google ka njoftuar sot disa veçori të reja që, vetëm pak vite më parë, do të dukeshin të jashtëzakonshme.
Së pari, AI-ja “agentike” e Google tani mund t’i telefonojë dyqanet në emrin tuaj për të pyetur për produktet në stok.
Funksioni shfaqet kur kërkoni produkte të caktuara pranë jush në Google Search. Pasi zgjidhni opsionin “Let Google call” dhe shtypni “get started”, sistemi ju drejton me disa pyetje të thjeshta në lidhje me atë që po kërkoni, shkruan AP.

Më pas, AI kontakton dyqanet përreth për të verifikuar çmimin dhe çdo ofertë të posaçme. Përgjigjet mbërrijnë me email ose mesazh, së bashku me inventarin lokal nga dyqane të tjera afër.
Shërbimi po zgjerohet fillimisht në kategoritë lodra, produkte shëndeti e bukurie, dhe elektronikë, vetëm në SHBA.

Google ka prezantuar edhe një funksion të ri që mund të bëjë blerje automatikisht për ju, i quajtur “agentic checkout”.
Nëse po ndiqni çmimin e një produkti në Google Search, mund të zgjidhni modelin, ngjyrën, përmasën dhe buxhetin tuaj.
Kur çmimi bie në nivelin që keni vendosur, ju vjen njoftim — dhe pastaj mund t’i kërkoni Google-it ta blejë produktin për ju përmes Google Pay.
Ky shërbim funksionon vetëm me dyqane të kualifikuara dhe kërkon gjithmonë konfirmimin tuaj para blerjes.
Nga ana tjetër, AI Mode ju lejon të përshkruani produktin që kërkoni thjesht, sikur të flisnit me një mik.
Më pas, Google ju kthen një përgjigje të strukturuar me foto, çmime, vlerësime dhe informacion mbi stokun, të personalizuar sipas kërkesës suaj. /Katror.info
















