Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Ajo do të nisë në orën 14:00.
Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri, njofton Radio Evropa e Lirë.
Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.
Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.
Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri. Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.
Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera./Katror.info
















