KRU “Prishtina” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë intervenime teknike në disa zona të Prishtinës, ndërsa njëkohësisht problemet me turbullirat e larta në kanalin Ibër–Lepenc kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë në disa komuna.
Sipas njoftimit të kompanisë, intervenimet do të zhvillohen në këto rrugë të kryeqytetit:
“Shaip Spahiu”, “Shkupit”, “Gjergj Balsha”, “Qazim Bajraktari”, “Shaip Kamberi”, “Prishtinë–Mitrovicë”, “Qazim Dragusha”, “Fazli Balaj”, “Shaban Jashari”, “Ibrahim Lutfiu” dhe “Musine Kokollari”.
Nga KRU “Prishtina” është bërë e ditur se punimet janë të domosdoshme për mirëmbajtjen e rrjetit dhe stabilizimin e furnizimit.
Ndërkohë, mbrëmë kompania njoftoi se ITU Shkabaj është nxjerrë jashtë funksionit për shkak të nivelit jashtëzakonisht të lartë të turbullirave në kanalin Ibër–Lepenc, të shkaktuara nga reshjet e dendura atmosferike. Këto turbullira kanë bërë të pamundur procesin e trajtimit të ujit, duke lënë pa furnizim disa zona të rëndësishme.
Pa ujë mbeten:
- Fushë Kosova
- Drenasi
- Obiliqi
- Një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë
Kompania paralajmëroi se reduktime të furnizimit mund të shfaqen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
Ekipet janë në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme. KRU “Prishtina” tha se furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues, duke kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët deri në normalizimin e gjendjes./Katror.info











