Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për sot. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se kjo seancë është “e jashtëligjshme” dhe një tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar fasadë politike në mënyrë që të mbulohen dështimet e shumta të qeverisë në ikje, raporton Ekonomia Online.
Çitaku theksoi se PDK-ja mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për të votuar kundër mandatarit për kryeministër, duke nënvizuar se partia nuk do të lejojë shantazh apo presion politik.
“Këta e njohin vetëm politikën e mashtrimit e nënshtrimit. E PDK nuk shantazhohet e as nuk nënshtrohet”, tha ajo.
Në një fjalim të gjatë kritikues ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, Çitaku akuzoi partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit për bllokimin e proceseve institucionale dhe zhytjen e vendit në, siç u shpreh ajo, “llokim 10-mujor”.
“Sot jemi dëshmitarë që për 10 muaj Kosova është mbajtur peng. Qytetarët presin Qeveri të re, Parlament funksional, komisione pune e shtet normal — e fatkeqësisht nuk kemi asnjë nga këto. Republika e Kosovës e ka humbur tërësisht vitin 2025”, tha Çitaku.
Ajo akuzoi Vetëvendosjen se ka keqpërdorur rezultatin zgjedhor, jo për të qeverisur, por për të “zvarritur, manipuluar proceset dhe konsumuar afatet ligjore me synim shmangien e përgjegjësisë”.
Kritikat e saj kulmuan me deklaratën se seanca e jashtëzakonshme është “farsë dhe turp politik”, e cila nuk synon zgjidhje, por “mbulim të dështimeve”.
“PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për mbulim të dështimeve sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët, për ligje apo komisione, por për t’i shpëtuar fajit një pushteti që për 10 muaj ka refuzuar të krijojë dialog, shumicë dhe Qeveri,” tha Çitaku.
Në fund, ajo paralajmëroi se thirrjet për shkelje të ligjit dhe kushtetutës rrezikojnë të hapin rrugë për kaos dhe precedent të rrezikshëm për shtetin ligjor.
“PDK nuk do të bëhet pjesë e kësaj rruge,” përfundoi ajo./Katror.info
















