TikTok, po publikon një funksion të ri që u lejon përdoruesve të zgjedhin se sa përmbajtje të krijuar nga inteligjenca artificiale duan të shfaqet në faqen e tyre “For You”.
Krahas këtij opsioni, kompania po teston teknologji më të avancuara për etiketimin e përmbajtjes së gjeneruar nga AI.
Kontrolli i ri për përmbajtjen e krijuar nga AI (AIGC) po integrohet brenda “Manage Topics”.
“‘Manage Topics’ u mundëson përdoruesve të rregullojnë sesa shpesh shohin përmbajtje nga më shumë se 10 kategori, si Vallëzimi, Sporti apo Ushqimi & Pijet”, shpjegoi kompania. “Ashtu si këto kontrolle, edhe opsioni AIGC synon t’u japë përdoruesve më shumë kontroll mbi larminë e përmbajtjes në feed-in e tyre, pa e hequr apo zëvendësuar atë tërësisht”.

Pse po e bën TikTok këtë ndryshim?
Ky hap vjen në një moment kur gjigantët e teknologjisë po shkojnë drejt AI.
Në shtator, Meta prezantoi Vibes, një feed të ri me video të shkurtra të krijuara nga AI.
Vetëm pak ditë më vonë, OpenAI publikoi Sora, një platformë sociale për krijimin dhe ndarjen e videove të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Që prej publikimit të Sora-s, TikTok është mbushur me video të krijuara nga AI, qoftë realistike, qoftë për tema të tjera si historia apo personazhet e famshëm.
Ndaj kompania po u jep përdoruesve lirinë të zgjedhin: të shohin më pak ose më shumë nga ky lloj përmbajtjeje.
Opsioni i ri mund të gjendet në Settings > Content Preferences > Manage Topics, ku përdoruesit mund të rregullojnë sasinë e përmbajtjes së krijuar nga AI me një slider të dedikuar.
TikTok thotë se ndryshimi do të shpërndahet për të gjithë përdoruesit në javët e ardhshme. /Katror.info

















