Një nga ironitë e varësisë nga rrjetet sociale është se vetë të varurit e pranojnë problemin. Një sondazh i fundit nga British Standards Institution zbuloi se 68% e adoleshentëve ndihen më keq kur kalojnë shumë kohë në rrjete sociale, ndërsa 47% do t’i fshinin fare sikur të kishin mundësi.
Prandaj nuk është çudi që qindra mijëra persona po i drejtohen eventeve “IRL” (In Real Life), ku telefonat ndalohen plotësisht ose kufizohen.
Shërbime të reja po krijojnë qëllimisht përvoja “offline” për socializim dhe takime, dhe numri në rritje i këtyre eventeve në SHBA dhe Europë tregon sa e madhe është dëshira për lidhje të vërtetë njerëzore, shkruan Good News Network, transmeton Katror.info.
Klubi Offline i Europës, për të cilin GNN ka raportuar më herët, ka më shumë se gjysmë milioni ndjekës në Instagram – një ironi më vete – dhe kapitujt e tij nëpër kontinent mbledhin pjesëmarrësit në ambiente ku telefonat mbyllen në kuti që në hyrje. Brenda, leximi, bisedat, lojërat e tavolinës dhe socializimi tradicional zëvendësojnë shikimin e vazhdueshëm të ekranit.
Përveç tij, kompani si Kanso, Sofar Sounds dhe aplikacioni 222 po ndërtojnë modele biznesi duke e shkëputur njeriun nga rrjetet sociale plot reklama dhe përmbajtje të gjeneruar nga AI. Secila ka krijuar një hapësirë të vetën, por të gjitha synojnë kthimin tek mënyrat klasike të shoqërimit — si dikur.
Kanso, që nuk është aplikacion por organizator eventesh, ka mbajtur aktivitete pa telefona në qytete të mëdha si Nju Jorku, San Francisko dhe Londra. Së fundmi, në San Diego organizoi koncertin e parë “phone-free”, të quajtur Kanso Unplugged.
Pas eventit të parë në Nju Jork, themeluesi Randy Ginsberg tregoi:
“Menjëherë pas përfundimit, njerëzit më thoshin se ishte përvoja më e mirë që kishin pasur në Nju Jork. Mysafirët qëndruan shumë më gjatë se koha e përcaktuar, dhe shumë prej tyre krijuan miqësi reale. Një djalë madje gjeti investitorin që i financoi startup-in të nesërmen.”
Në këto evente, telefonat vendosen në kaseta të vogla që hapen vetëm në fund.
Ndërkohë, aplikacioni 222, aktualisht i disponueshëm vetëm për iPhone, dërgon ftesa për takime spontane në ambiente publike. Nuk ka profile, as “swipe”, as DM — vetëm takime reale me njerëz të zgjedhur paraprakisht nga aplikacioni. Me vlerësim 4.7 nga 3,600 përdorues në Apple, 222 shihet si “i domosdoshëm” për këdo që kërkon një natë të këndshme jashtë, qoftë për romancë, qoftë për shoqëri.
Po ashtu, Sofar Sounds organizon koncerte intime në më shumë se 400 qytete të botës. Edhe pse nuk janë plotësisht “offline”, pjesëmarrësit luten të mos përdorin telefonin gjatë performancave. Vendndodhja jepet më pak se 24 orë përpara, dhe koncertet mund të mbahen kudo — nga apartamentet, te galeritë e artit, parqet, çatitë, madje deri edhe në një prej shtëpive të Richard Branson-it.
“Askush nuk priste që kjo ide të përhapej kaq shumë,” tha bashkëthemeluesi Rafe Offer për Business Insider. Eventet tashmë mbahen në vende të pazakonta, përfshirë majën e një piste skiimi në Oslo, me pamje të qytetit.
E gjitha kjo tregon se alternativat për t’u shkëputur nga bota digjitale po shtohen me shpejtësi. Dhe nëse dikur ju trembi ideja e Mark Zuckerberg-ut për të jetuar në një Metaverse me syze të shtrenjta VR — apo ju neverit fakti që sot dikush krijon miqësi e madje marrëdhënie me chatbot-ët — nuk jeni vetëm.
Rritja e shërbimeve si 222 dhe Kanso dëshmon se, pavarësisht sa digjitale bëhet bota, për shumë njerëz lidhja analoge — ajo e vërteta — mbetet mënyra më e preferuar për t’u ndier pjesë e njerëzimit. /Katror.info
Burimi: Good News Network
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















