Në shumë zona të SHBA-së, dimri i detyron shoferët ta nisin makinën herët në mëngjes, shpesh edhe para se të ndizet makina e kafesë, vetëm që të pastrojnë xhamat nga akulli. Por ngrohja e makinës dhe funksionimi i paisjeve shkrirëse është një proces shumë energji-shpenzues. Studiuesit në Institutin Politeknik të Virxhinias besojnë se kanë gjetur një mënyrë më të zgjuar dhe më të kursyeshme për ta bërë këtë.
Profesori i inxhinierisë mekanike, Jonathan Boreyko, udhëheq një ekip që synon të luftojë akullin duke shfrytëzuar vetitë fizike të tij, jo nxehtësinë apo kimikatet ndotëse. Ata kanë zhvilluar një metodë të re të quajtur “shkrirje elektrostatike” (EDF), e cila përdor tension elektrik për të çliruar kristalet e akullit, shkruan Good News Network, transmeton Katror.info.
Kërkimet e mëparshme të ekipit treguan se një sasi shumë e vogël tensioni, që gjendet natyrshëm brenda ngricës, mund të krijojë një fushë elektrike që i shkëput mikrokristalet e akullit. Duke rritur tensionin, ata arritën rezultatet më premtuese: me 120 volt u hoq rreth 40% e ngricës, ndërsa me 550 volt rreth 50%.
Fenomeni bazohet në të ashtuquajturat defekte jonike—gabime të vogla në strukturën e akullit ku një molekulë uji vendoset jashtë skemës së rregullt. Këto defekte mbajnë ngarkesa pozitive dhe negative. Kur mbi sipërfaqe vendoset një pllakë me ngarkesë pozitive, defektet negative tërhiqen lart, ndërsa ato pozitive shtyhen poshtë. Polarizimi i krijuar e bën ngricën të shkëputet më lehtë, madje në disa raste kristalet “hidhen” drejt elektrodës.
Edhe pa tension të aplikuar, pllaka prej bakri largoi 15% të ngricës, ndërsa me energji të aktivizuar rezultatet u përmirësuan dukshëm. Studiuesit po punojnë që të arrijnë heqjen 100% të akullit, si dhe po testojnë metoda të reja për të reduktuar humbjen e ngarkesës elektrike dhe për të optimizuar vendosjen e elektrodave.
“Jemi ende në fazat e para të zhvillimit,” tha Boreyko. “Qëllimi ynë është ta përmirësojmë EDF-në dhe të provojmë se mund të bëhet një mënyrë efikase, pa kimikate dhe me konsum të ulët energjie për shkrirjen e akullit.”
Nëse kjo teknologji ecën përpara, mund të ndryshojë mënyrën si pastrohen makinat, aeroplanët, urat dhe shumë pajisje të tjera që vuajnë nga ngrica gjatë dimrit. /Katror.info
Burimi: Good News Network
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















