Posta e Kosovës ka lansuar sot një emision të ri të pullave postare, të dedikuara dy prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe për fëmijë: Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani. Ky edicion i veçantë vjen në kuadër të serisë “Personalitete të shquara” dhe shënon njëherësh edhe Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve.
Përmes këtij botimi filatelik, institucioni nderon dy krijues që lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqipe, duke frymëzuar breza të tërë lexuesish me veprat e tyre.
Rifat Kukaj, i lindur më 25 tetor 1938 në Tërstenik të Drenasit, u shqua si autor i shumë veprave të dashura për fëmijë e të rritur. Pas një periudhe si mësues e drejtor shkolle, ai u vendos në Prishtinë, ku punoi në Radio Prishtina dhe në gazetën “Rilindja”. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Xhuxhi nga Taxhuxhi”, “Lepuri me pesë këmbë”, romanet “Bardhi e Mirushja”, “Shkrepi i diellit”, “Vjollca magjike”, “Zogu i bardhë”, si dhe poezitë “Në hijen e Dajtit” e “Fshati i pishës”. Kukaj u nda nga jeta më 11 shtator 2005, por krijimtaria e tij vazhdon të jetojë.
Edhe Ymer Elshani, i lindur më 14 qershor 1948 në Korroticë të Ulët, është një nga autorët më produktivë të letërsisë për fëmijë. Arsimtar dhe drejtor i mirënjohur i Gjimnazit “Skënderbeu” në Drenas, ai njihet për poezitë, tregimet, romanet dhe kritikën letrare që shpalosin botën e fëmijëve, por edhe realitetet e vështira shoqërore, përfshirë periudhën e luftës. Ndër veprat e tij spikasin “Çka ëndërrojnë lulet”, “Plaku me violinë”, “Unaza magjike” dhe “Ndodhitë e hundës…”.
Posta e Kosovës theksoi se ky edicion i ri i pullave postare synon jo vetëm të nderojë dy autorët e shquar, por edhe të rikujtojë rëndësinë e letërsisë për fëmijë në edukimin shoqëror dhe kultivimin e vlerave humane. Institucioni shtoi se mbështetja e kulturës dhe personaliteteve që kanë kontribuar në zhvillimin e saj mbetet pjesë thelbësore e misionit të Postës së Kosovës./RTK/Katror.info











