Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë, gjeneral Metin Tokel, me të cilin zhvilloi një bisedë të frytshme për thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Gjatë takimit u diskutua për avancimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes. Palët biseduan edhe për mundësitë e prokurimeve të ardhshme ushtarake, në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimet më të fundit teknologjike.
Ministri falënderoi gjeneral Tokelin për kontributin e vazhdueshëm të trupave turke në kuadër të misionit të KFOR-it, si dhe për mbështetjen e pandërprerë që Turqia i ka ofruar Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Turqia, u theksua në takim, mbetet një partner strategjik dhe i çmuar për Kosovën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes./Katror.info











