Federata e Basketbollit e Kosovës do të marrë pjesë për të dytin vit radhazi në kualifikueset e Kampionatit Botëror të eSports në basketboll, eFIBA, i cili zhvillohet në lojën NBA 2K26 në platformën PS5, në formatin 5vs5 Pro AM. Ky event, nën ombrellën e FIBA, po shndërrohet në garën më prestigjioze të basketbollit digjital në nivel global.
Ftesë për lojtarët më të mirë të NBA 2K26 në Kosovë
FBK tashmë ka hapur thirrjen për të gjithë lojtarët konkurrues të NBA 2K26, të cilët kanë nivel profesional dhe dëshirë të përfaqësojnë vendin në arenën botërore. Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes së ekipit kombëtar.
Aplikimi bëhet përmes këtij linku: bit.ly/FBKneEFIBA25
Lojtarët e përzgjedhur do të ftohen në eventin e përzgjedhjes (tryout) që do të zhvillohet në fillim të muajit dhjetor 2025, ku do të shfaqin aftësitë e tyre për të siguruar vendin në ekipin përfaqësues të Kosovës në eFIBA Season 4.

Rritja e eFIBA dhe pjesëmarrja e shteteve
Në edicionet e mëparshme, pjesëmarrja ka ardhur duke u zgjeruar me ritme të shpejta. Edhe pse sezoni i parë filloi me rreth 30 shtete pjesëmarrëse, vitin e kaluar numri u rrit në mbi 60 vende nga e gjithë bota, ku çmimet shkuan mbi vlerën e 50,000 eurove, ndërsa kampion u shpallën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky zhvillim tregon qartë ndikimin e eSports në sportet tradicionale, duke bashkuar basketbollin, teknologjinë dhe garën profesionale.
Kosova, me synim të përfaqësimit dinjitoz
Pas debutimit historik në Sezonin 3, Kosova do të vazhdojë të ndërtojë ekipin e saj përfaqësues edhe në këtë edicion. Ky angazhim i FBK dëshmon përkushtimin për t’u zhvilluar sipas standardeve moderne të FIBA dhe për të qenë pjesë e iniciativave të reja globale në sport.
Kosova do të nisë rrugëtimin e saj në fazën para-kualifikuese të shteteve Evropiane, që zhvillohet online gjatë janarit të vitit 2026. Ekipet që sigurojnë kualifikimin do të garojnë LAN (fizikisht) në finalet e Kampionatit që ketë vit mbahet në Doha, Katar gjatë muajit maj 2026.
Kosova synon të ndërtojë një ekip konkurrues, të promovojë talentin e ri dhe të përfaqësohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare. Rrugëtimi vazhdon, dhe sfida sapo ka filluar! /Katror.info
















