Kompania Google ka sjell një përditësim për aplikacionin Maps, i cili sjell disa mjete të reja, përfshirë mundësinë për të kontrolluar disponueshmërinë e karikuesve për automjetet elektrike.
Aplikacioni më parë shfaqte vetëm vendndodhjen e karikuesve për automjetet elektrike, por jo nëse ato ishin të lirë. Me fjalë të tjera, ishte plotësisht e mundur të arrinit në një stacion karikimi dhe të gjendeshit përpara një radhë automjetesh elektrike që prisnin të karikoheshin.
Mjeti i përditësuar së shpejti do të tregojë “sa karikues ka të ngjarë të jenë të disponueshëm kur arrini në lokacion”. Ky mjet përdor një kombinim të “magjisë” së AI-së dhe informacionit në kohë reale për karikuesit, për të parashikuar sa karikues do të jenë të lirë dhe gati për përdorim në një moment të caktuar, përcjell Telegrafi.
Nga Google thonë se kjo do t’u ndihmojë përdoruesve të “shmangin radhët dhe të kursejnë kohë”. Funksioni do të jetë i disponueshëm nga java e ardhshme, por vetëm përmes sistemit Android Auto dhe makinave me shërbime të integruara Google.
Kartela Explore është ridizajnuar, duke e bërë më të lehtë gjetjen e listave të kuratuara nga influencues lokalë dhe kompani si OpenTable. Gjithçka që përdoruesi duhet të bëjë është të rrëshqasë me gisht lart për të parë “restorantet, aktivitetet dhe atraksionet më të njohura në afërsi”. Kartela e përditësuar Explore do të jetë e disponueshme globalisht këtë muaj për Android dhe iOS.
Kompania gjithashtu po integron më shumë funksionalitete Gemini në Maps. Chatbot-i AI do të mund të japë këshilla në stilin “dini para se të nisni” përpara se të vizitoni restorante, hotele, sallat e koncerteve dhe vende të tjera interesante. Google thotë se Gemini do të funksionojë si një “udhërrëfyes ekspert që tregon rrugën”. Ky funksion këshillash të bazuar në AI tashmë është i disponueshëm për shumë përdorues në SHBA, në Android dhe iOS.
Së fundi, recensuesit tani mund të ndryshojnë emrin e tyre të shfaqur kur japin komente për bizneset lokale. Google thotë se kjo mund të përdoret për të recensuar dyqanet në afërsi me emra si “Eager Elf” ose “Julia Loves Sweets”. Edhe pse emri i përdoruesit ndryshohet, duhet pasur parasysh se komentet lidhen me llogarinë Google të përdoruesit.
Ky është vetëm përditësimi më i fundit për Google Maps. Aplikacioni gjithashtu shton udhëzime live për korsitë e vozitjes për pronarët e Polestar 4 dhe do të vijë edhe në orët inteligjente Garmin. /Katror.info
















