Pas lansimit të kufjeve Galaxy XR muajin e kaluar, Samsung po përgatitet të zgjerojë linjën e saj të realitetit të zgjeruar me një produkt tërësisht të ri: Galaxy Glasses. Sipas disa raportimeve të mëparshme, gjiganti korean tashmë ka identifikuar modelin e parë të syzeve XR me numrin SM-O200P. Prania e shkronjës “O” në këtë kod tregon qartë se nuk bëhet fjalë për një tjetër kufje, pasi modeli i Galaxy XR mban shkronjën “I”, shkruan Gsmarena, transmeton Katror.info.
Këto syze pritet të jenë të ngjashme me Ray-Ban Meta, ndërsa burime të industrisë sugjerojnë se Samsung do të debutojë fillimisht një version pa ekran në vitin 2026, e më pas një model tjetër me ekran të integruar në 2027.

Modeli i parë raportohet se do të ketë lentet Transitions, të cilat errësohen automatikisht në dritë dhe zbardhen brenda ambienteve. Transitions është markë e regjistruar e EssilorLuxottica, prodhuesi i Ray-Ban, prandaj mbetet për t’u parë nëse Samsung do të përdorë lente origjinale Transitions apo versione të ngjashme foto-kromatike.
Ashtu si syzet e Meta-s, Galaxy Glasses pritet të integrojnë kamerë, Wi-Fi dhe Bluetooth. Megjithatë, Samsung shkon një hap më tej duke shtuar lidhje mobile, një funksion që mungon te produktet e Meta-s. Kompania ka regjistruar tashmë emrin Galaxy Glasses, duke rritur gjasat që ky të jetë emri zyrtar.
Syzet pritet të lansohen fillimisht në SHBA, ndërsa tregjet e tjera ende nuk janë zbuluar. /Katror.info












