Qeveria në detyrë e Kosovës, më 31 tetor, miratoi projektbuxhetin 4 miliardësh për vitin 2026. Megjithatë i njëjti nuk mori dritën e gjelbër të Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së një qeveri legjitime. Lëvizja Vetëvendosje për këtë çështje thirri një seancë të jashtëzakonshme e cila u cilësua si e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit dhe e cila nuk prodhoi asgjë.
Një ditë më pas presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe caktoi 28 dhjetorin si datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në këtë situatë, nëse deri më 1 Janar 2026 buxheti nuk aprovohet nga Kuvendi i Kosovës, atëherë aktivizohet financimi i përkohshëm sipas nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Sipas financimit të përkohshëm, nëse në 4 muajt e fundit (shtator–dhjetor) ka pasur zgjedhje të përgjithshme, atëherë financimi i përkohshëm bëhet për dy muaj të vitit të ri. Ndahen fonde vetëm sa 2/12 e buxhetit të vitit të kaluar, saktësisht të ndara për çdo organizatë buxhetore aq sa kanë qenë të ndara në vitin e kaluar.
Nëse në 4 muajt e fundit nuk ka pasur zgjedhje, atëherë ndahet vetëm 1/12 pjesë.
Në këtë rast organizatat buxhetore nuk kanë të drejtë të hyjnë në marrëdhënie të reja kontraktuale për shpenzime kapitale. Kryesisht, pra, fondet do të duhet të përdoren për paga dhe shpenzimet nga kontratat ekzistuese.
Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë nuk parasheh se çfarë ndodh nëse nuk votohet zgjatja e financimit të përkohshëm.
Në një skenar të tillë, Thesari i Ministrisë së Financave nuk do të kishte bazë ligjore për vazhdimin e pagesës së pagave të punëtorëve publikë, nuk do të mund të paguheshin faturat komunale (rryma, uji, mbeturinat) të institucioneve publike.
Nuk do të kishte as pagesa në kontratat e shpenzimeve kapitale dhe nuk do të kishte shpenzime në mallra dhe shërbime, përfshirë naftën për automjetet e Kryeministrit, Presidencës, Kryeparlamentarit, automjetet e policisë, automjetet e FSK-së, zjarrfikësve, ambulancave.
Megjithatë zgjatja e buxhetit nuk i përfshinë edhe punëtorët e RTK-së, pasi për televizionin publik, nuk u miratua raporti vjetor në Kuvendin e Kosovës. /AP/Katror.info
















