Për konkurse të reja e avancim të personelit akademik e kanë ngritur dorën senatorët e Senatit të Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë.
Senati miratoi hapjen e konkurseve për 100 pozita të reja, për avancimin e personelit akademik në disa fakultete dhe vendosi ta asociojë edhe me UP-në mjekun farmacist dhe profesorin e King’s College London, profesorin, Driton Vllasaliu.
Siç ka bërë të ditur përmes njoftimit Universiteti i Prishtinës, senatorët miratuan avancimin në profesor-asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të UP-së të profesorit nga Universiteti Teknik i Vjenës, Ilir Murturi.
“Ky është transferimi i parë me normë të plotë dhe kontratë të rregullt në UP, sipas Rregullores për “kthimin e trurit”, thotë UP-ja.
Sipas tyre, hapja e këtyre konkurseve dhe vazhdimi i asociimit me UP-në të profesorëve me renome ndërkombëtare nga diaspora akademike në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025, synon ta fuqizojë cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të Universitetit të Prishtinës.
UP-ja thotë se profesionisti ndërkombëtar mjekësor, Driton Vllasaliu, aktualisht është pjesë e Shkollës së Shkencave Farmaceutike dhe Onkologjike në King’s College London, ndërsa do të punojë me orar të pjesshëm në UP.
Në shtator e tetor 2025 me Universitetin e Prishtinës janë asociuar edhe dy profesorët tjerë me renome ndërkombëtare, Dukagjin Blakaj dhe Gëzim Visoka.
Njoftimi, gjithashtu bënë të ditur se në mbledhjen e Senatit u miratua edhe avancimi i disa profesorëve dhe rizgjedhja e disa asistentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Mjekësisë.
“Riemërime, emërime dhe avancime janë planifikuar të shqyrtohen edhe në mbledhjet tjera të radhës. Senatorët aprovuan njëzëri edhe ardhjen e një profesori vizitor nga Universiteti “Shën Kirili dhe Shën Metodi” i Bullgarisë për të dhënë mësim në Degën e Ballkanistikës të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës”, njoftoi UP-ja./Katror.info
















