Kosova është përzgjedhur si “Guest Country” në edicionin e sivjetëm të Festival de Cine Al Este, që po mbahet në Bogota të Kolumbisë, duke u prezantuar me një program të pasur filmash dhe aktivitetesh në kuadër të diplomacisë kulturore. Ky prezantim u realizua në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kolumbi, sipas Memorandumit të MPJD-së për promovimin ndërkombëtar të kulturës kosovare.
Programi u hap më 19 nëntor me shfaqjen e filmit të shumëvlerësuar “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit. Më 20 nëntor, publiku pati rastin të ndjekë “Okarina” të Alban Zogjanit, i cili ishte i pranishëm për një bisedë të hapur pas shfaqjes. Po atë ditë u shfaq edhe filmi “Zana” i Antoneta Kastratit, ndërsa drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati, ndau me publikun procesin krijues dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre.
Më 21 nëntor, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, mori pjesë si paneliste në punëtorinë e dedikuar filmave të metrazhit të gjatë. Ajo diskutoi për mundësitë e koprodhimit në Kosovë, skemën e rabatit dhe zhvillimet në kinematografinë vendore. Punëtoria mblodhi regjisorë dhe producentë nga dhjetë projekte pjesëmarrëse nga Peruja, Ekuadori, Meksika, Kosta Rika, Kanadaja, Kili, Argjentina dhe Kolumbia.
Institucionet kosovare dhe ekipet krijuese u falënderuan për përfaqësimin dinjitoz të kinematografisë së Kosovës në këtë festival ndërkombëtar./Katror.info











