Në fshatin Bishtazhin të Gjakovës kanë nisur përgatitjet për ndërtimin e një Betlehemi të gjallë, që pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë dhe më të veçantët në vend. Iniciativa, e cila synon të sjellë një përvojë të pasur kulturore dhe shpirtërore, po realizohet nga të rinjtë e famullisë, të cilët po angazhohen me përkushtim në vendosjen e bazave të projektit.

Gjatë ditëve në vijim, organizatorët do të instalojnë dritat festive, do të ndërtojnë skenografinë me përmasa të gjera dhe do të ngrejnë kasollet tradicionale që rikrijojnë pamjen e jetës së dikurshme. Pjesë e aktivitetit do të jenë edhe mjediset artizanale dhe paraqitja e zanateve të vjetra shqiptare, të cilat synojnë të sjellin sa më afër traditat dhe kulturën e hershme të kësaj zone.

Betlehemi i gjallë i Bishtazhinit pritet të shndërrohet në një atraksion të rëndësishëm për vizitorët, duke ofruar një përvojë të veçantë për komunitetin lokal dhe më gjerë. Fotot nga terreni pasqyrojnë entuziazmin dhe energjinë e të rinjve që po e ndërtojnë këtë ambient unik./Kallxo.com/Katror.info












