Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, iu bashkua sot protestës së punëtorëve të Trafikut Urban, duke bërë thirrje të hapur për zgjidhje të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës.
Në reagimin e tij, Rama iu drejtua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Albin, Hekuran, mos rrini në zyra e në xhipa. Hajde takohemi dhe e bëjmë zgjidhjen për punëtorët dhe qytetarët e Prishtinës! Sot iu bashkova protestës sepse jam dhe do të jem gjithmonë me punëtorët dhe qytetarët e kryeqytetit. Prej një viti kërkojmë zhbllokimin e buxhetit, ndërsa ai vazhdon të mbahet padrejtësisht peng për interesa politike. Jam me ju punëtorë dhe do të qëndroj në krahun tuaj deri në zgjidhjen e këtij problemi dhe kthimin e shërbimeve që qytetarët meritojnë!”, ka shkruar Rama, përcjell Telegrafi.
Rama theksoi rëndësinë e pagesës së pagave të punëtorëve dhe rifillimit të shërbimeve për qytetarët.
“Punëtorët po i presin pagat që u takojnë. Qytetarët po i presin shërbimet që u takojnë. Kryeqyteti po e pret buxhetin që i takon! Mos bëni politikë me nevojat bazike të qytetarëve. Është e pandershme dhe jonjerëzore”, thuhet më tej në reagimin e tij
Ky reagim vjen në një moment kur qytetarët e Prishtinës po përballen me ndërprerjen e shërbimeve të transportit urban, për shkak të krizës financiare që ka bllokuar pagesat e punëtorëve dhe funksionimin e disa linjave të autobusëve. /Telegrafi./Katror.info











