Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka kritikuar ashpër Komunën e Prishtinës për dështime të thella në menaxhimin e sistemit të transportit urban dhe urban-periferik.
Përmes një postimi në Facebook, Durmishi ka theksuar se kryeqyteti është ndër të vetmet komuna në vend që nuk ka miratuar rregulloren e re të transportit, pavarësisht detyrimit ligjor. Ai ka bërë me dije se mbi 90% e komunave në Kosovë e kanë përmbushur këtë obligim, ndërsa Prishtina ka mbetur prapa, duke lejuar që shërbimet e transportit të funksionojnë “jashtë kornizës së duhur ligjore dhe planifikuese”.
“Komuna e Prishtinës nuk ka hartuar dhe miratuar rregulloren e transportit, as nuk ka dorëzuar Planin e Transportit bazuar në Planin e Mobilitetit, duke improvizuar linja të reja për efekte elektorale, pa analizë profesionale dhe të subvencionuara pa kriter,” ka shkruar Durmishi.
Ai ka shtuar se qeverisja e LDK-së në Prishtinë ka dështuar në shumë fusha që kërkojnë planifikim, ligjshmëri dhe procedura, dhe se tani përpiqet t’ia lërë fajin Qeverisë për dështimet që i ka shkaktuar vetë.
Durmishi ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe ka kritikuar drejtuesit komunalë që, sipas tij, “rrijnë në zyra e në xhipa” ndërkohë që qytetarët përballen me problemet e transportit./Katror.info











