Kur njerëzit që punojnë çdo ditë me inteligjencën artificiale janë pikërisht ata që nuk i besojnë, ekspertët thonë se kjo tregon se gara për shpejtësi po dominon mbi sigurinë.
Krista Pawloski e kujton një moment të vetëm që i ndryshoi përgjithmonë mendimin për etikën e inteligjencës artificiale. Si punëtore në Amazon Mechanical Turk – një platformë ku kompanitë punësojnë njerëz për të bërë detyra si verifikim teksti, etiketim imazhesh ose kontroll të rezultateve të modeleve – ajo kalon orë të tëra duke moderuar përmbajtje të krijuar nga AI, shkruan The Guardian, transmeton Katror.info.
Rreth dy vite më parë, teksa po vlerësonte disa postime në Twitter për gjuhë raciste, ajo hasi një term që nuk e njihte: “mooncricket”. Për pak sa nuk e klasifikoi si jo ofendues, derisa vendosi ta kërkonte. Aty mësoi se ishte një fyerje raciste ndaj afro-amerikanëve.
“Aty u ndala dhe mendova sa herë mund ta kem bërë të njëjtin gabim pa e kuptuar”, thotë Pawloski.
Ideja se sa shumë gabime të tilla mund të kalojnë pa u vënë re – nga mijëra punëtorë si ajo. Që nga ajo ditë, ajo ka vendosur të mos përdorë më mjete gjenerative dhe ua ndalon edhe familjarëve.
“Është absolutisht e ndaluar në shtëpinë time”, thotë ajo, duke treguar se vajzës së saj adoleshente nuk i lejon mjete si ChatGPT. Njerëzve që takon, u sugjeron gjithmonë t’i bëjnë një pyetje AI-së rreth diçkaje që e njohin mirë – vetëm kështu, sipas saj, kuptojnë sa shpesh gabon teknologjia.
Amazon thotë se punëtorët zgjedhin vetë detyrat dhe e dinë paraprakisht çfarë përmbajnë ato. Por rreth një duzinë punëtorësh që vlerësojnë përgjigjet e AI-së, të intervistuar nga Guardian, thonë se, pasi kanë parë nga brenda mënyrën si funksionojnë modelet, nuk u besojnë më – dhe i paralajmërojnë të tjerët të jenë shumë të kujdesshëm.
“Mos i besoni për informacione të ndjeshme”
Një punëtore që vlerëson përgjigjet e Google Search’s AI Overviews thotë se është alarmuar sidomos nga mënyra si trajtohen pyetjet mjekësore. Koleget e saj, thotë ajo, shpesh japin vlerësime pa pasur fare njohuri mjekësore. Për këtë arsye, ajo ia ka ndaluar vajzës së saj 10-vjeçare çdo chatbot derisa të zhvillojë “aftësitë bazë të mendimit kritik”.
Google, nga ana tjetër, thotë se vlerësimet e punëtorëve janë vetëm një “nga shumë metodat” e monitorimit dhe nuk ndikojnë drejtpërdrejt në algoritme.
Kur ata që e ndërtojnë AI-në nuk i besojnë vetë
Ekspertët thonë se fakti që punëtorët e AI-së paralajmërojnë publikun tregon një problem më të thellë.
“Sistemet po nxitojnë drejt tregut pa u testuar mjaftueshëm dhe po injorohet reagimi i punëtorëve”, thotë Alex Mahadevan nga Poynter. “Nëse njerëzit merren me këtë çdo ditë dhe nuk i besojnë, kjo është alarmante.”
Punëtorët thonë se kompania u kërkon shpejtësi mbi cilësinë. Brook Hansen, me mbi një dekadë përvojë në trajnimin e modeleve të mëdha, thotë se udhëzimet janë të paqarta, trajnimet minimale dhe afatet shpesh të pamundura.
“Si mund të jetë një model i sigurt nëse të dhënat futen me nxitim, pa saktësi dhe nga njerëz të pa-informuar?”, pyet Hansen.
E vërteta qëndron tek të dhënat: ‘Garbage in, garbage out’
Një tjetër vlerësim i Google, me formim në histori, thotë se humbi besimin kur pa se si modeli jepte përgjigje të gjata për historinë e Izraelit, por refuzonte çdo pyetje për historinë e popullit palestinez. Edhe pse e raportoi problemin, askush nuk e mori parasysh.
“Sapo pashë cilësinë e ulët të të dhënave që përdoren për trajnimin e modeleve, e kuptova se rezultati nuk mund të jetë kurrë i besueshëm”, thotë ai, duke shtuar se u ka thënë të afërmve të mos blejnë telefona me AI të integruar dhe të mos zbulojnë informacione personale.
E ardhmja e AI-së? E brishtë, jo e ndritur
Hulumtuesit që studiojnë punën e padukshme pas inteligjencës artificiale thonë se, sapo të shohësh prapa skenës, magjia zbehet.
“AI është e brishtë, jo futuriste. Është një mozaik kompromisesh, paragjykimesh dhe nxitimesh”, thotë Adio Dinika nga Distributed AI Research Institute.
Në konferenca dhe takime publike, punëtorë si Hansen dhe Pawloski përpiqen të ngritin vetëdijen mbi ndikimet etike dhe mjedisore të AI-së. Shumë njerëz, thonë ato, habiten kur mësojnë për mijëra punëtorë anonimë që kontrollojnë përmbajtjen ose për konsumin marramendës të energjisë që kërkojnë modelet gjigante.
“Duhet të fillojmë të bëjmë pyetje”
Pawloski e krahasoi industrinë e AI-së me industrinë e tekstilit: dikur njerëzit gëzoheshin me rroba të lira, derisa mësuan se prodhoheshin nëpër sweatshop-e.
“E njëjta gjë është me inteligjencën artificiale. Kush i krijon të dhënat? A është shkelur e drejta e autorit? A janë paguar sinqerisht punëtorët kaq të rëndësishëm?”, thotë ajo. “Jemi në fillim të këtyre pyetjeve – por nëse vazhdojmë të kërkojmë llogari, ndryshimi është i mundur.”
Burimi: The Guardian
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















