Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se tashmë nuk mund të kërkojë nga deputetët të mblidhen për çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke theksuar se për këtë kishte bërë përpjekje që ditën kur dështoi të zgjidhej mandatari i dytë për kryeministër.
“Kam bërë çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe për të gjetur zgjidhje, por partitë e ish-opozitës nuk pranuan të kthehen në Kuvend para se të nënshkruaja dekretin për shpërndarje. Mundësi ka pasur, por jo vullnet politik”, tha Osmani për mediat, duke theksuar se propozimet e saj nuk ishin kundërkushtetuese.
Presidentja shtoi se ka tentuar edhe të gjejë kompromis me kryeministrin për të përjashtuar buxhetin e vitit 2026 dhe të shqyrtoheshin vetëm marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetet lokale të Prishtinës, Gjilanit dhe zgjatjet buxhetore, por kjo nuk u pranua nga partitë e tjera.
Osmani paralajmëroi se nuk përjashton mundësinë e zvarritjes së konstituimit të Kuvendit, duke thënë se kjo situatë është shqetësuese dhe se partitë politike duhet të kenë mësuar nga kjo përvojë, pasi çdo vonesë është në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës.
“Si presidente kam bërë gjithçka, por është refuzuar nga disa parti. Tani që nuk ka Kuvend, nuk kam se ku t’i çoj deputetët dhe duhet të presim zgjedhjet e ardhshme, konfirmimin e rezultateve dhe konstituimin e qeverisë së re”, përfundoi Osmani./Katror.info











