Një shqiptare e sukeseshme që u shkollua në vendlindje, por nga puna dhe angazhimi i saj profesional bëri që të rekrutohet në Kantonin e Lozanës, pranë Departamentit të Komunikimit Global.
Bëhet fjalë për Anis Brahimi Treni, e cila deri në 2022, punonte për kompaninë Philip Morris në Tiranë, ku ishte përgjegjëse për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Komunikimin, shkruan Albinfo.ch.
Ndërkohë, Zyra Qëndrore Globale e Philip Morris International, e bazuar në Lozanë, e rekrutoi në departamentin e Komunikimit Global, si pjesë e programit të zhvillimit të talenteve brenda kompanisë.
Eksperienca e saj ka nisur në vitet e hershme në media audio-vizive dhe më pas, studimet në Shkenca Politike, e drejtuan në institucione ndërkombëtare si ”Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim” (UNDP) dhe Ambasadën Italiane, për të punuar më pas për korporata amerikane në departamentet e komunikimit.
Gjatë këtij viti, në Lozanë, Anis është integruar në jetën sociale të Kantonit ku jeton, në grupe vendase dhe të huaj (expat) duke u bërë promovuese e vlerave shqiptare në këto komunitete.
Anis është një nga historitë e suksesit të shtetasve shqiptarë në Zvicër, që falë punës dhe integritetit, përfaqësojnë më së miri vlerat dhe promovojnë Shqipërinë. /Katror.info