Me ardhjen e pranverës, qyteti i Pejës do të gjallërohet me tingujt e pastër të fëmijëve të korit Siparantum Kids, të cilët do të sjellin një atmosferë festive përmes koncertit “Ditë Pranvere”, shkruan Katror.info.
Kjo ngjarje, e mbështetur nga IPKO, do të mbahet më 20 mars në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda”, duke ofruar një moment gëzimi dhe solidariteti për të gjithë të pranishmit.
Koncerti nuk është vetëm një festë muzikore, por edhe një iniciativë për të afruar artin me komunitetin dhe për të promovuar gjithëpërfshirjen. Përmes këngëve të tyre, fëmijët do të përcjellin mesazhe dashurie, shprese dhe bashkëpunimi, duke treguar fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit pa dallime.
Ngjarja është e hapur për të gjithë dhe organizatorët ftojnë komunitetin të bashkohet në këtë festë të muzikës dhe harmonisë, ku pranvera do të festohet jo vetëm në natyrë, por edhe në zemrat e vogëlushëve që do të ngjiten në skenë./Katror.info