Nëse jeni të interesuar të mësoni ndonjë frazë të bukur greke, një lajm i mirë vjen nga Zyra e Bashkimit Evropian.
Në pritje të liberalizimit të vizave nga 1 janari, kjo zyrë ka filluar të ofrojë kurs të gjuhës greke, që të paktën kur kosovarët vizitojnë Selanikun e afërt apo edhe qytetet tjera greke t’i dinë disa shprehje bazike.
Zyra e BE-së në Kosovë përmes një njoftimi në Facebook bën të ditur se pjesëmarrësit e parë në kurs ishin nga Prishtina dhe Mitrovica e Veriut.
Dhe kjo nismë pritet të vazhdojë edhe me mësimin e gjuhëve tjera.
“Pjesëmarrës nga Prishtina dhe Mitrovica e Veriut mësuan disa fraza bazike në greqisht të cilat mund t’ju hyjnë në punë sapo të fillojnë të eksplorojnë Evropën pas liberalizimit të vizave në Janar 2024. Lajmi më i mirë është se ky ishte kursi i parë në serinë e kurseve të gjuhës që do të vijnë. Pra, na ndiqni për klasën tonë të ardhshme të gjuhës #ExploreEurope!,” thuhet në njoftim.
Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.
Parlamenti Evropian (PE) më 18 prill 2023 i dha dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën.
Institucionet e BE-së u dakorduan që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.
Në Kosovë është zhvilluar një fushatë informuese lidhur me procesin e liberalizimit si dhe lëvizjes pa viza në zonën Shengen.
Bashkimi Evropian përmes një fushate mirëseardhëse për kosovarët në vendet e BE-së, ka postuar në rrjete sociale personalitete të ndryshme që ftojnë kosovarët të eksplorojnë qytete të ndryshme evropiane, siç ishte edhe videoja e futbollistit suedez, Tobias Karlsson.
Edhe Katror Media ka nisur një seri shkrimesh për qytetet e ndryshme të Evropës, duke ofruar informata se çfarë mund të bëjnë dhe si mund të eksplorojnë sa më shumë qytete duke parë kultura të ndryshme evropiane e duke kursyer para.
Lexo po ashtu edhe: 18 gjërat ma t’mira që mund t’i bësh në Berlin me pak para./Katror.info
#janarinukeshtelarg #EksplorojmeEvropen