Kompania Ookla ka publikuar statistika të reja kur bëhet fjalë për shpejtësitë 5G në mbarë botën.
Raporti i fundit “Gjendja e lidhjes në mbarë botën” tregon se shpejtësia mesatare e shkarkimit të të dhënave 5G pati një rritje globale prej 20 për qind gjatë tremujorit të tretë të 2023.
Ookla regjistroi një shpejtësi mesatare shkarkimi 5G prej 203.04 Mbps në tremujorin e tretë, një përmirësim i dukshëm krahasuar me 168.27 Mbps në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kur bëhet fjalë për vende individuale, në të cilat lidhja 5G është më e shpejta, lider janë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat shënojnë një rritje prej 14% për shpejtësinë mesatare të lidhjes 5G (592.01 Mbps).
Në vendin e dytë është tani Koreja e Jugut, e cila ka një shpejtësi lidhjeje 5G prej 507.59 Mbps. Pasohet nga Malajzia, Katari dhe Brazili.
Ndër 10 vendet me lidhjen më të shpejtë 5G janë Republika Domenikane, Kuvajti, Makau, Singapori dhe India.
Ookla thekson se ndërsa 5G është në gjendje të mundësojë shpejtësi maksimale të shkarkimit të të dhënave deri në 20 Gbps, shpejtësitë e botës reale ende nuk kanë arritur nivelet Gigabit, kryesisht për shkak të ekonomisë së rrjetit./Katror.info