Imagjino një mbrëmje, duke lëvizur në rrjetet sociale, dhe papritur reklamat duken tepër familjare: ngjyrat e tua të preferuara, muzika jote e preferuar, madje edhe fraza që përdor zakonisht.
Kjo është reklama e së ardhmes – që në fakt ka nisur tashmë – falë inteligjencës artificiale.
Kompani si Cheil UK po përdorin modele të mëdha gjuhësore për të analizuar aktivitetin online të njerëzve dhe për ta përshtatur përmbajtjen sipas personalitetit të secilit. Teknologjia imiton mënyrën si flet një përdorues, ritmin, tonin, frazat, dhe më pas aplikon muzika e ngjyra që i përputhen karakterit të atij personi: më të zhurmshme apo më të qeta, më të ndritshme apo më të errëta, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
Qëllimi? T’u shfaqen miliona përdoruesve reklama krejtësisht të personalizuara – secila unike.
Sot, marka nga fusha e retail-it, elektronikës, produkteve të paketimit, automotivës, sigurimeve dhe bankave po përdorin tashmë reklama të personalizuara nga AI. AI lexon postimet publike në Facebook, Instagram, Reddit, kërkimet në internet dhe – më së shumti – atë që njerëzit shkruajnë në ChatGPT.
Pastaj e kombinon këtë informacion me të dhëna që kompanitë i kanë prej vitesh: vendbanimin, moshën, nëse ke fëmijë, ku pushon, çfarë vesh, çfarë kërkon online. Prandaj xhinset që ke kërkuar “rastësisht” të dalin kudo, apo pushimet e ëndërruara të ndjekin në çdo faqe.
Chris Camacho nga Cheil UK thotë se ky është një ndryshim i madh: nga reklamat bazuar në moshë dhe gjini, drejt një niveli emocional e psikologjik shumë më të thellë. AI mund të krijojë një portret të brendshëm të individit – nëse është i gëzuar ose i mërzitur, ç’po kalon në jetën personale.

Studime të fundit në SHBA tregojnë se edhe teksti i shkruar nga ChatGPT, i personalizuar sipas tipareve të personalitetit të përdoruesit, është më bindës se reklamat e zakonshme. Dhe konsumatorët nuk kanë aspak problem që është shkruar nga AI.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Konsulenti Alex Calder e quan këtë qasje “shpenzim për të krijuar një reklamë që vetëm një person do ta shohë, dhe pastaj do ta harrojë”. Ai paralajmëron se reklamat tepër të personalizuara mund të kthehen në “creepy slop” – diçka që duket sikur po ekspozon detajet më intime të dikujt.

Të tjerë ngrejnë shqetësimin e mbikëqyrjes. Ivan Mato nga agjencia Elmwood pyet nëse njerëzit do ta pranojnë këtë nivel të depërtimit në privatësi, apo nëse rregullatorët do ta lejojnë. Sipas tij, pyetja më e madhe për markat nuk është nëse mund ta bëjnë këtë, por nëse duhet.

Edhe Camacho pranon se teknologjia mund të përdoret për keq – sidomos në fushata politike, ku ndikimi i AI-së mund të manipulojë votuesit. Por ai thotë se qëllimi i tyre është ta përdorin në mënyrë etike, për të krijuar një lidhje më të mirë mes markave dhe individëve, jo për t’i frikësuar ata.
E ardhmja e reklamave mund të jetë më e saktë, më personale – ose thjesht më creepy se kurrë. Gjithçka varet nga mënyra si përdoret kjo fuqi e re. /Katror.info
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















