Në fushën e rinovuar të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të premten nga ora 20:45 përfaqësuesja e Kosovës në futboll e fillon kampanjën e re. Në nismë të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve, Kosova luan ndaj Rumanisë. Ndeshja i takon Grupit 2 të Ligës C, që është niveli i tretë i Ligës së Kombeve.
Përfaqësuesja ka nisur stërvitjet të hënën dhe nuk ka ndonjë mungesë të rëndësishme. Lojtarët janë shprehur optimistë para ndeshjes, e cila është e para “në shtëpi” për selektorin Franco Foda. Ai ka udhëhequr Kosovën në tri miqësore të luajtura jashtë vendit. Dhe për herë të parë Foda do të ndiej përkrahjen që përfaqësuesja e ka nga tifozët. Përkrahja pritet të jetë e madhe. Të gjitha biletat për ndeshje janë shitur tashmë, ka njoftuar FFK-ja, përcjell Koha.net.
Por a është Kosova favorite ndaj Rumanisë?
Nëse merren për bazë rezultatet e kaluara në ndeshjet e ndërsjella, përvoja dhe forma e shfaqur së fundi, jo. Por ka gjëra tjera që Kosovën e bëjnë favorite.
Kosova e Rumania janë takuar dy herë deri më tani. Dhe atë në kualifikimet për Euro 2024. Më 16 qershor të vitit të kaluar në Prishtinë, ndeshja përfundoi 0:0. Më 12 shtator të vitit të kaluar në Bukuresht, Rumania fitoi 2:0. Pra rumunët janë më të suksesshëm.
Rumania e fitoi grupin kualifikues duke mbledhur 22 pikë. Kosova kishte përfunduar vetëm e parafundit, përkatësisht e pesta, me 11 pikë.
Në Euro 2024, Rumania fitoi 3:0 ndaj Ukrainës e më pas u mposht 2:0 nga Belgjika dhe luajti 1:1 me Sllovakinë. E kaloi grupin, që ishte sukses i papritur. Në 1/8 e finales pësoi 3:0 nga Holanda. Para Evropianit nuk shfaqi shumë, por fytyrë tjetër kishte në ngjarjen e rëndësishme.
Kosova ndërkohë i ka vetëm tri miqësore këtë vit. FFK-ja nuk ia doli të aranzhojë miqësore të dytë në qershor, ndonëse ajo ishte planifikuar. Më 22 mars në Jerevan, Kosova fitoi 1:0 ndaj Armenisë. Më 26 mars në Budapest, Kosova humbi 2:0 nga Hungaria. Ndërkohë më 5 qershor në Oslo, “Dardanët” pësuan 3:0 nga Norvegjia. Të tri ndeshjet janë luajtur jashtë vendit edhe për shkak të renovimit të tejzgjatur të fushës në “Fadil Vokrri”.
Anët e forta
Por pse Kosova mund të llogaritet favorite ndaj Rumanisë, të premten në “Fadil Vokrri”?
Ka shumë arsye për këtë.
E para, forma e lojtarëve. Edon Zhegrova po shkëlqen te Lille në Francë. Së fundi shënoi gol edhe ndaj PSG-së. Niveli i lojtarëve të Rumanisë nuk është as i përafërt me nivelin e lojtarëve të cilët aktualisht po i përballon me sukses Zhegrova.
Vedat Muriqi e ka nisur mbarë edicionin në La Liga te Mallorca. Tashmë e ka një gol e një asistim në katër paraqitjet e para. Madje golin e shënoi ndaj Real Madridit. Niveli i lojtarëve të Real Madridit është “botë tjetër” krahasuar me nivelin e lojtarëve të Rumanisë.
Suksesshëm ka nisur edhe Milot Rashica te Beshiktashi. Nuk ka gola, por ka asistime. Tifozët e Kosovës i gëzon edhe forma e Albion Rrahmanit te Sparta e Pragës, por edhe e shumë lojtarëve të tjerë të përzgjedhur nga Foda.
Mesfusha, që ka çaluar për shumë vjet, pritet të jetë më stabile pas ardhjes së lojtarit të Bundesligës, Elvis Rexhbeçaj. Por sërish ka rrezik që të jetë prej pikave më të ndjeshme, në mungesë të konkurrencës së duhur. Derisa për pozitat e sulmuesve qëndrorë Foda do t’i ketë të paktën pesë opsione në dispozicion, dhe të paktën aq për pozitat e sulmuesve të krahut, për mesfushë opsionet janë dukshëm më të pakta. Dhe jo të nivelit të sulmit, e edhe të mbrojtjes.
Kosova mund të jetë favorite edhe për faktin se ka më shumë lojtarë se Rumania në pesë ligat e mëdha evropiane. Dhe i ka në nivel më të lartë në këto liga. Derisa Rumania i ka vetëm pesë lojtarë në top-pesë ligat e futbollit, Kosova i ka shtatë.
Vedat Muriqi është në La Liga, Zhegrova në Ligue 1, Rexhbeçaj e Florent Muslija në Bundesligë, kapiteni Amir Rrahmani e Mërgim Vojvoda në Serie A dhe portieri Arijanet Muriq në Premier League. Të gjithë këta janë duke luajtur aktualisht.
Në tregun e transferimeve, lojtarët e Kosovës peshojnë dukshëm më tepër se ata të Rumanisë. Pesë lojtarët më të shtrenjtë të Rumanisë vlerësohen pak më tepër se vetëm Edon Zhegrova e Amir Rrahmani. Njëmbëdhjetëshja startuese e Kosovës pritet të jetë dukshëm më e “kushtueshme” se ajo e Rumanisë.
Kosova do ta ketë edhe përkrahjen e shikuesve, si “armë” shtesë ndaj rumunëve.
Në aspektin individual, Kosova aktualisht qëndron para Rumanisë. Dhe sfidë do të jetë që niveli individual të jetë në shërbim të ekipit. Kjo deri më tani kryesisht ka munguar. Për këtë kanë folur edhe rumunet në një analizë të gjatë për mediumin “Fanatik”.
Si i fitoi Rumania katër pikë?
Gjendja, sa i takon lojtarëve ishte e ngjashme edhe vitin e kaluar. Por Rumania luajti në Evropian dhe Kosova luajti vetëm miqësore. Kosova kishte një pikë nga dy ndeshjet me Rumaninë, e Rumania katër.
Edi Ioardanescu e drejtojë Rumaninë në ato dy ndeshje. Ai tashmë është zëvendësuar nga trajneri legjendar rumun, Mircea Lucescu.
Rumunët pretendojnë se ishin më të suksesshëm se Kosova duke bllokuar Muriqin, Rashicën e Zhegrovën.
“Në përgatitje për ndeshje, Edi e ka ditur shumë mirë se ekipi nacional i Kosovës ka shumë lojtarë të vlefshëm në aspektin individual, që ishin në ekipe të mira. Por ka llogaritur shumë në atë që ata nuk kanë formuar ekip. Secili ka luajtur për vete. Zhegrovës, që tani është në formë të lartë te Lille, i është kushtuar kujdes i veçantë”, kanë thënë për “fanatik.ro”, përgjegjës nga federata rumune.
Zhegrova në Prishtinë kishte luajtur vetëm në pjesën e dytë, në vend të Rashicës. Në Bukuresht kishin startuar të dy.
Bllokimi i Muriqit ishte tjetër detyrë që rumunët pretendojnë se e kanë kryer mirë në dy ndeshjet e vitit të kaluar.
“Lojtarët janë munduar shumë për të bllokuar krosimet për Muriqin, që është i pandalshëm në zonë. Ai nuk duhet të pranojë topin në zonë”.
Iordanescu u kishte kërkuar lojtarëve që të jenë agresivë sa ata të Kosovës. Ai kishte analizuar mirë Kosovën dhe e dinte se duhej të sulmoheshin mbrojtësit e anës së majtë, Paqarada e Aliti, shkruan gazeta rumune. Sipas shkrimit të “fanatik.ro”, te Rumania e kanë ditur edhe që Zhegrova e Florent Muslija nuk japin shumë në anën defenzive.
Në fakt paraqitja e Kosovës në ndeshjen e kaluar me Rumaninë në Prishtinë ishte vlerësuar pozitive. Por fitorja mungoi. Dhe rumunët e pranojnë se nuk janë favoritë ndaj Kosovës të premten.
“Është e gabuar të konsiderohemi favoritë ndaj Kosovës, kur ajo ka lojtarë në klube të mëdha që po ashtu luajnë në Ligën e Kampionëve. Edi Iordanescu ia doli ta mposht Kosovën me punë dhe sakrificë nga lojtarët. Kështu duhet të trajtohet ndeshja e së premtes. Do të jetë shumë, shumë vështirë. Kosovarët mezi e presin ndeshjen. Ata kërkojnë revansh për humbjen në Bukureshta. Trajneri i ri, gjermani Franco Foda, do të mundohet të bashkojë lojtarët dhe të formojë ekip”, kanë thënë përgjegjës nga federata rumune.
Ky mund të jetë çelësi i suksesit për Kosovën – funksionimi si ekip./Katror.info