Më shumë se 3 mijë vjet më parë, në Kazakistanin modern, gjashtë qen u vendosën me kujdes në tokë. A ishin kafshë të dashura shtëpiake apo sakrifica rituale? Askush nuk mund ta thotë me siguri.
Por për shkencëtarët që studiojnë historinë e qenve në shoqërinë njerëzore, këto gjetje arkeologjike janë të çmuara, duke ofruar një mundësi për të hetuar ADN-në e qenve dhe për të kuptuar se si ata udhëtuan dhe shpërndanë gjene mes popullsive njerëzore nëpër kontinente.
Përparimet në sekuencimin e ADN-së së lashtë kanë treguar se njerëzit kanë migruar në rajone të reja në valë të njëpasnjëshme, duke u përzier ose zëvendësuar popullatat lokale, shkruan AP.
Studiuesit, të interesuar në mënyrën se si kjo lidhej me kafshët që jetonin pranë tyre, analizuan ADN-në e 17 qenve që jetuan gjatë 10 mijë viteve të fundit në Euro Azi, përfshirë një qen nga varri në Kazakistan. Rezultatet tregojnë se qentë udhëtonin me njerëzit e tyre, dhe shpesh mbeteshin edhe në vendet ku njerëzit nuk qëndronin.
“Qentë kanë jetuar me njerëzit shumë më parë sesa kemi imagjinuar. Para qyteteve, para fermave, ata kanë qenë gjithmonë me ne. Pulë, kuaj, dele dhe lopë janë më të reja si kafshë shtëpiake, krahasuar me qentë”, thotë Laurent Frantz, profesor në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut.
Por gjetja e mbetjeve të qenve mes eshtrave të kafshëve të tjera ka qenë gjithmonë sfiduese. Frantz shpjegon se qentë kanë më shumë gjasa të jenë varrosur në mënyrë të veçantë, me kujdes, duke i dalluar nga kafshët e tjera.
Studiuesit u fokusuan gjithashtu në momentin e rëndësishëm të historisë aziatike: ardhjen e bronzit në Kinë. Gjetjet tregojnë se ndërsa teknologjia e bronzit udhëtonte nga perëndimi drejt lindjes, popullsia vendase shpesh zëvendësohej, por qenit shpesh mbeteshin dhe përhapenin me popullatat e reja.
Këto kafshë janë treguar të jashtëzakonshme në përshtatjen dhe shpërndarjen e tyre bashkë me njerëzit në kontinente të ndryshme, nga ishujt e largët të Siberisë deri te qytetet romake.
Frantz shprehet se studimet e ardhshme do të eksplorojnë shpërndarjen e qenve në Azi Juglindore dhe Australi, duke hedhur dritë jo vetëm mbi historinë antropologjike, por edhe mbi lidhjen unike mes qenve dhe njerëzve që zgjati mijëra vjet. /Katror.info
















