Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se është duke implementuar nismën “EcoVoices”, një program që synon të fuqizojë gazetarët e rinj dhe aktivistët nga komunitete të ndryshme etnike në fushën e raportimit mjedisor dhe avokimit për drejtësi mjedisore.
Sipas AGK-së, pas trajnimit të mbajtur në tetor për raportimin mbi çështjet e mjedisit, u organizua edhe ngjarja “Green Forum”, ku u bashkuan redaktorë të mediave dhe pjesëmarrësit e rinj. Në këtë forum, të rinjtë prezantuan idetë e tyre për storje multimediale dhe artikuj që adresojnë problemet mjedisore me të cilat përballen komunitetet lokale.
Përmes këtij programi, 20 gazetarë të rinj kanë fituar aftësi të reja profesionale, mjete praktike të punës si dhe mentorim të drejtpërdrejtë nga redaktorë me përvojë. AGK thekson se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e brezit të ri të gazetarëve, si dhe në promovimin e një raportimi të përgjegjshëm e cilësor mbi çështjet që prekin mjedisin dhe shoqërinë.
Nisma “EcoVoices” realizohet në kuadër të projektit “Përforcimi i hapësirës qytetare, kohezionit social dhe modeleve inovative të angazhimit publik”, i cili implementohet nga UNDP Kosovo./Katror.info











