Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, David Baker, dhe Gjeneral Brigadier Chris McKinney kanë realizuar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku zhvilluan takime me udhëheqësit më të lartë institucional dhe ushtarak të vendit.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ata u pritën nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe nga Gjeneralmajori i KFOR-it, Enrico Barduani.
Delegacioni amerikan vizitoi gjithashtu Kampin Bondsteel, ku u takua me personelin ushtarak amerikan të stacionuar në Kosovë.
Sipas njoftimit nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, gjatë vizitës, Zëvendës Ndihmës Sekretari Baker riafirmoi përkushtimin e SHBA-së për partneritetin në fushën e mbrojtjes me Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në funksion të paqes dhe stabilitetit rajonal./RTK/Katror.info