Autorja e librit “Kangë Popullore Erotike” Vlora Nikçi ka bërë të ditur se libri i saj është duke u përkthyer nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot.
Vlora Nikçin e kemi parë në role të ndryshme si aktore në teatër dhe film, me karrierë artistike 20-vjeçare, fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në emisionin “Special One” në Klan Kosova FM, ajo ka rrëfyer për jetën, aktrimin, librin dhe familjen.
Vlora tregon ku qëndrojmë si mentalitet sa i përket aktrimit dhe a janë tema tabu skenat erotike në film apo shfaqje.
“Kanë qenë në kohën time dhe nuk është tabu që mësuesi ose profesori ose regjisori e sheh, por është tabu vetë aktorja, vetë aktori, sikur e ka ndalesë diku thellë që nuk duhet të zhvishemi ose të puthemi ose të dashurohemi në skenë, gjë që më ka munguar dhe penguar shumë. Kam pasur kolegë shumë të mirë që kam kërkuar që t’i kryejmë skenat deri në fund. Unë, edhe pse kam qenë person shumë i turpshëm në skenë, është dikush tjetër aty dhe skena të ndihmon të tjetërsosh atë, kështu që ka pasur hezitime dhe ka ende, por ka dhe artistë të mëdhenj, të cilët e dinë që në art s’ka moral, morali është diku tjetër”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, Nikçi flet për librin “Kangë Popullore Erotike”, vargjet e të cilit do të bëhen së shpejti këngë, dhe se po ashtu ky libër po përkthehet edhe në gjuhën angleze nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
“Libri po përkthehet në gjuhën angleze prej ambasadorit Nicholas Abbott, vetë ai e përkthen, është në proces, tash do të përkthehet edhe në gjuhën frënge. Po çka ata po thonë është – ‘Vërtet ju shqiptarët keni kaq erotikë të fuqishme’ – kanë menduar që ne vetëm dimë të luftojmë. Por mos harro, njerëzit së pari të luftojnë për një grua të mirë, pastaj të luftojnë edhe për tokën. Unë mendoj filli i parë i luftëtarit trim prej nesh ka qenë ta mbrojë gruan e vet që e ka pasur fantastike ose dashnoren, pastaj edhe vendin”, tha aktorja Nikçi.
Ndërkohë, aktorja e njohur Vlora Nikçi ka kritika për mësueset edukatore në çerdhet e vendit, për shkak të ashpërsisë së tyre ndaj fëmijëve. Ajo thotë se fëmija prej çerdhes shkon në shkollë pak më i ashpër për shkak të kësaj dukurie dhe mendon se duhet të ketë kontrolle nga ana e Komunës./Katror.info