Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK), Kushtrim Ahmeti, i shoqëruar nga disa prej bizneseve anëtare, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Republikës Popullore të Bangladeshit në Kosovë, Muhammad Zylqar Nain, i cili ishte i shoqëruar nga konsulli Tanvir Kabir.
Gjatë takimit, drejtori Ahmeti prezantoi aktivitetet dhe rolin e Dhomës në mbështetjen e bizneseve vendore ndër vite, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike me Bangladeshin. Ai theksoi se Kosova mund të përfitojë nga përvojat pozitive të këtij shteti, sidomos në fushat e punësimit të grave dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Ahmeti gjithashtu propozoi krijimin e një kanali të qëndrueshëm komunikimi ndërmjet dy palëve, që do të mundësonte shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e bashkëpunimeve konkrete ndërmjet bizneseve të dy vendeve.
Në anën tjetër, ambasadori Muhammad Zylqar Nain falënderoi për pritjen dhe diskutimet konstruktive, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur iniciativat që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të përbashkët dhe krijimin e mundësive të reja për investime.
Gjatë takimit, përfaqësues të bizneseve anëtare të Dhomës prezantuan sfidat me të cilat përballen, veçanërisht në sigurimin e fuqisë punëtore, dhe propozuan mundësi për zgjidhje përmes bashkëpunimit ndërkombëtar./Katror.info











