Dashuria për natyrën i filloi qysh kur ishte e vogël meqë u rrit në natyrë, duke ndihmuar familjen që kishte bujqësinë burim primar të të ardhurave. Sot, Dijesa Morina është një aktiviste e zëshme e ruajtjes së mjedisit.
“Gjithmonë ajo ndihma e prindërve, me iu ndihmu atyre në bujqësi, ma ka rritë dëshirën apo dashurinë për natyrën”, shprehet Dijesa.
Ajo filloi të studiojë në bujqësi, por nuk e gjeti bilancin mes bujqësisë dhe mjedisit, sepse siç thotë ajo shpesh herë, bujqësia po e ndot mjedisin, andaj u fokusua në studimet mjedisore.
“Fillova me u marrrë, me trajnime me aktivitete të ndryshme, me vullnetarizëm… derisa erdhi momenti që t’i bashkohem shoqërisë civile, edhe e pashë që jemi ne ata që mundemi me bo ndryshimin, edhe mundemi me arritë që Kosovën tonë ta bëjmë të pastër dhe të gjelbër”, thotë ajo.
Në fokus të studimeve Dijesa mori ujin si një burim jete dhe e drejtë esenciale e njerëzve. E sot, pikërisht këto njohuri po i zbaton në mbrojtje të resurseve ujore të Kosovës. Ajo është pjesë e organizatës Let’s Do it Peja, që momentalisht po promovon qasjen universale në ujë të pijshëm. Ajo shpjegon se nga mohimi qasjes me ujë të pijshëm, më së shumti e pësojnë grupet e margjinalizuara.
“Kemi identifiku disa raste, kryesisht, 20 raste në të gjithë Kosovën, ku i kemi identifiku ato zona, komunitetet që kanë problem me ujë të pijshëm, nuk kanë qasje në to, a po ka ndotje të ujërave, dhe në kuadër të kësaj, ne kemi vendosur që me i kriju këshillat lokale për ujëra. Pra në këto 20 raste të sinjalizume, ku në këshilla lokale të ujërave, zgjedhet një person si person kontaktues, dhe pjesë të tjera të anëtarëve, i cili është kryesisht në baza vullnetare, ku ka si për qëllim që ky këshill, të veprojë me pjesën tjetër të komunitetit, në mënyrë që të adresohen, problemet ujore në të cilat komuniteti has”, thotë Dijesa.
E gjendja e ujërave në Kosovë, Dijesa thotë se nuk është e mirë, duke e demonstruar edhe mënyrën se si e bëjnë matjen e cilësisë së ujërave të lumenjve, kryesisht në pranverë dhe vjeshtë dhe pastaj publikojnë raporte për gjendjen e tyre.
“Raporti i fundit të cilin e kemi publiku, është i vitit të kaluar. Gjendja e lumenjve tanë nuk është e mirë, është kryesisht e ndotur prej kanalizimeve të cilat dalin drejtpërdrejt në lumenj, prej mbeturinave të cilat hidhen, prej shkarkimeve industriale. Pra gjendja nuk është e mirë, për këtë arsye ne po mundohemi, që me anë të punës që po e bojmë ne me çu deri tek përmirësimi i tyre, duke arritur që t’i krijojmë këto përmbledhje të politikave dhe këto raporte, që t’i tregojmë konkluzione dhe të dërgojmë rekomandimet tek institucionet në mënyrë që ata të marrin masat”, thotë ajo.
Ruajtja e ujërave dhe ambientit fillon nga secili prej nesh, e për të bërë ndryshim në Kosovë, Dijesa thotë se duhet të ndërgjegjësohemi në qasjen tonë me natyrën.
“Ndoshta fillimisht me fillu me vetëdijesim, me ndërgjegjësim te gjeneratat e reja, po edhe te të gjithë gjeneratat, njerëzve të cilët kanë qasje në ujë të pijshëm, pasi që e drejta për ujë të pijshëm është e rregullume edhe me anë të kushtetutës së Kosovës, pra nenit 52 ku thotë që çdo person duhet të ketë qasje në fakt në një mjedis jetësor të pastër, që përfshihet këtu edhe ujërat. Ne si vend me thënë të drejtën nuk e di se ku po çalojmë, ose është si pasojë e neglizhimit që po e lëmë, edhe pse uji është jetë, pa ujë ne nuk mundemi me jetu, por nuk po ja japim rëndësinë që ujërat duhet me pas, nuk po merremi aq shumë me problemet të cilat janë siç i ceka kanalizimet. Nuk e di a është fajtor qeveria apo komunat të cilat nuk po merren sa duhet me çështjen e kanalizimeve dhe mbeturinave të cilat po e ndotin ujin”, shprehet ambientalistja.
E një shembull se si kur të gjithë bëhen bashkë për një qëllim të vetëm, suksesi është i garantuar, e jep Dijesa, duke treguar se si u ndalua ngritja e hidrocentraleve në lumin Lumbardh që kalon në Pejë.
“Lumbardhi që është këtu në Pejë, që po shihet në prapaskenën tonë, është i njëjti Lumbardh që kanë dëshiru edhe këtë me e fut në gypa, po fatmirësisht ka qenë hera e parë ku të gjithë janë bërë bashkë, shoqëria civile, Komuna, Ministria, pastaj pjesa tjetër, të gjitha komunitetet, të gjitha etnicitetet, janë bërë bashkë që me ndalë këtë dukuri, edhe fatmirësisht kanë arritur që mos me lanë Lumbardhin tonë të mirë me u fut në gypa, edhe me çu deri tek humbja e rrjedhës”, thekson ajo.
Dijesa Morina, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së ujit, thotë se po të kishte Kosova mjaftueshëm ujë, hidrocentralet janë të mira meqë nuk e ndotin ambientin.
“Mirëpo për Kosovën kjo nuk është e mirë, pasi që na nuk kemi ujë të mjaftueshëm që me fut në gypa, kemi një sasi shumë të vogël, pra është 1600 metër kub litër për kokë banori, që është mjaft e vogël që me fut në gypa. Por fatkeqësisht në Kosovë disa operatorë, kanë vendos që me i ndërtu këto edhe kemi pa çfarë degradimi të madh kanë bërë, por te pjesa tjetër jemi të lumtur që kemi një shoqëri civile, e cila po merr masa qysh është rasti i fundit, nga organizata EcoZ, pastaj nga aktivistja Shpresa Loshaj e cila po tenton që me i jep fund ndoshta kësaj fatkeqësie e cila, po ndodh në vendin tonë, me i ndalë hidrocentralet”, shton tutje Dijesa.
Dijesa, aktivistja mjedisore, që i kushtuam këtë edicion të aktivizmit qytetar, thotë se secili nga ne duhet të japë më të mirën për ruajtjen e planetit.
“Nëse na nuk e ruajmë mjedisin, kush do ta ruajëpër neve? Ne duhet me u kujdes që Kosovën tonë, edhe pas 10 viteve, apo 50 viteve me gjetë të pastër edhe me pas motiv që njerëzit me jetu këtu, me dasht ashtu qysh na po tentojmë, me mbajt këtë farë forme…’’, përfundon ajo.
Kjo thirrje e Dijesës, reflekton urgjencën dhe rëndësinë e veprimit të përbashkët për të siguruar një të ardhme të pastër dhe të qëndrueshme për të gjithë. /Katror.info
Edicionin #56 të plotë e gjeni KËTU 🙂