Në përpjekje për të frenuar fluksin e turistëve, Amsterdami ka ndaluar hyrjen e anijeve turistike në qendër të qytetit. “Kruizerët që ndotin mjedisin nuk janë në përputhje me ambiciet ekologjike të qytetit tonë”, njoftoi administrata e qytetit. Por ato jashtë qendrës janë aktualisht të përjashtuara nga ndalimi.
Si pjesë e masave për të kufizuar ndikimin negativ të turizmit, Amsterdami do të mbyllë terminalin e anijeve të lundrimit, që ndodhet pranë Stacionit Qendror të Amsterdamit. Para kësaj, ata ndaluan tymosjen e kanabisit në lagjen e dritave të kuqe, dhe nisën një fushatë kundër festave të egra, shkruan Guardian, përcjell Katror.info.
Në mars, Amsterdami nisi një fushatë digjitale “Qëndroni larg” – mos eja, rri në shtëpi – për të dekurajuar ardhjen e turistëve që vijnë për të pirë dhe për tu droguar. Britanikëve të moshës 18 deri në 35 u tha hapur: Qëndroni larg! Në Britani, Amsterdami është një destinacion i preferuar për festat e beqarëve, veçanërisht rreth lagjes së prostitutave. Fushata ka për qëllim të rinjtë britanikë: kur ata kërkojnë “Amsterdam” në internet, atyre u shfaqen paralajmërime për gjoba, arrestime, rekorde kriminale, plus leksione mbi rreziqet e abuzimit me drogën dhe alkoolin.
Në videoklipin shihet një i ri në pranga, i cili po fotografohet dhe po merrën shenjat e gishtave nga policia. Qyteti ka shpallur “forcimin e kulturës së natës për të rinjtë”: ata synojnë të gjejnë vende të përshtatshme për klubet e natës, si tunelet e braktisura dhe autostradat e largëta boshe për të inkurajuar “krijimtarinë e të rinjve që duan të organizojnë diçka gjatë natës”.
Amsterdami është bërë viktimë e popullaritetit të vet, pasi tërheq 20 milionë vizitorë në vit. “Kruzerët në qendër të qytetit nuk përshtaten me qëllimin e Amsterdamit për të reduktuar numrin e turistëve,” tha për BBC Ilana Rooderkerk nga partia liberale D66, e cila drejton qytetin së bashku me Partinë e Punës dhe ambientalistët.
Rooderkerk kohët e fundit i krahasoi turistët e anijeve turistike me një “murtajë karkalecash” që zbret papritmas në qytet. Kryebashkiaku Femke Halsema u ankua vitin e kaluar se turistët zbresin nga anija turistike për disa orë, hanë në McDonald’s dhe nuk kanë kohë as të hyjnë në muze. Ata gllabërojnë qytetin, duke kontribuar pak në të.
Një arsye tjetër pse Amsterdami dëshiron të heqë qafe anijet e lundrimit është ndotja e ajrit: një studim i vitit 2021 tregoi se një anije e madhe lundrimi prodhoi të njëjtën sasi oksidi azoti në një ditë sa 30,000 kamionë. Për portet e tjera të anijeve turistike jashtë qendrës së Amsterdamit, ende nuk është marrë një vendim. /Katror.info