Po ta mendonte se një ditë do t’i jepen role gjigante në opera dhe për të do të shkruante Washington Post, nuk do ta besonte. Ana Naqe, sopranoja e njohur shqiptare, që krijimtarinë artistike e zhvillon në Belgjikë, është duke e jetuar momentin e saj.
Ajo do luajë rolin kryesor në Operën Madam Bovary në shtëpinë e Operas, La Monnaie në Bruksel, për të cilën gjë ka shkruar edhe Washington Post, ndërsa komponimi i muzikës bëhet veçanërisht për zërin e saj.
“Ishte një emocion shumë i madh se nuk e prisja kurrë që të isha në Washington Post, dhe që kjo opera do të merrte kaq jehonë, por e pashë edhe në vendet tjera që është një kreacion ‘world creation’ që bëhet për herë të parë dhe që të kompozohet për zërin tim dhe jam shumë e emocionuar. Kam folur disa herë me kompozitorin se çfarë notash të larta të përdorim, çfarë karakteristika të zërit tim, çfarë të përdorë ai, e çfarë jo, dmth është emocion shumë i madh,” thotë sopranoja Ana Naqe në një intervistë për Katror Media.
Ndërsa Ana përgatitet të dalë në skenë si Madame Bovary në operën novatore, ajo reflekton për rrugëtimin e saj jetësor. Që nga fillimi i saj në Shqipëri e deri tek angazhimet e saj aktuale në Gjermani dhe Belgjikë, rruga e Anës ka qenë e shtruar me sfida dhe triumfe. Ajo flet për momentin që e bëri ndryshimin në jetën e saj.
“Moment vendimtar ishte ikja nga Shqipëria, sepse prindërit e mi kanë qenë shumë intelektualë dhe ata kanë ditur çdo operë dhe duke parë natyrën time të lirë gjithmonë dukë kërkuar, që në moshë të vogël, që shtatë vjeçe kam luajtur koncert me violinë në televizion në Shqipëri. Kanë qenë prindërit e mi që me besim të madh në një botë që as ata vetë nuk e njihnin duke më lënë të shkoja në Belgjikë. Ata ishin një ndihmë shtysë e madhe besonin në mua, por edhe unë duke dashur shumë muzikën, unë doja të isha më e lirë dhe përzgjedhjen time,” shprehet në një intervistë për Katror Media, Ana Naqe.
Ana Naqe vlerëson se në anën e saj ishte edhe fati që i mundësoi shkollimin artistik në Belgjikë, por edhe këmbëngulja dhe puna e palodhshme. Por, në veçanti guximi për të ëndërruar.
“Kur ke një ëndërr, ëndrra realizohet. Atë ëndërrr duhet ta vazhdosh ta ëndërrosh dhë të mos ndalesh. Njeriu nuk duhet të ndalet të ëndërruari dhe duhet durim, sepse është rrugë e gjatë,” shprehet Ana Naqe.
Ana Naqe momentalisht është e angazhuar edhe me tetë shfaqje në Gjermani ndërsa, nga shtatori kthehet në Blegjikë me debutimin e saj si Madam Butterfly. Ndërsa në rolin e saj të pëlqyer, të Eva Bovary në operën Madam Bovary, Ana Naqe do të ngjitet në skenë në prill të 2025./Katror.info