Anija turistike MS George Eliot, e para në botë e dedikuar vetëm për udhëtarët solo, do të nisë lundrimet në vitin 2027.
Bota e turizmit po hap një kapitull të ri, pasi është njoftuar se në vitin 2027 do të lëshohet anija turistike e parë e dedikuar posaçërisht për udhëtarët solo. MS George Eliot do të nisë udhëtimet e saj nga qershori i vitit 2027, duke ofruar itinerare të gjata 15-ditore, të cilat konsiderohen më të gjatat për udhëtarët e vetëm në lundrimet lumore.
Anija, e gjatë 110 metra, do të ofrojë 70 kabina dhe suita të ndryshme, nga ato me ballkon francez deri te suitat superiore dhe ato me ballkon luksoz. E dizajnuar me frymëzim të një hoteli butik pesë-yjor, ambientet e brendshme përfshijnë dru të punuar me kujdes, metale të lustruara dhe tekstile italiane, duke i dhënë një ndjesi të plotë luksi.
Përvoja e udhëtimit do të plotësohet me zgjedhje të shumta ushqimi, duke filluar nga restoranti kryesor me shërbim të hapur dhe darka me katër pjata, e deri te bistroja dhe bari panoramik që ofron pamje mahnitëse të lumit. Në bord do të ketë edhe një qendër mirëqenieje me shërbime masazhi dhe salloni, një kuvertë për banjo dielli me pishinë të vogël freskuese, si dhe një hapësirë për golf të lehtë. Atmosfera do të gjallërohet më tej nga muzika live, që do të shoqërojë netët e pasagjerëve.

MS George Eliot është konceptuar posaçërisht për udhëtarët solo dhe mund të strehojë rreth 132 persona. Ky hap vjen në një kohë kur kërkesa për udhëtime të vetme ka njohur rritje rekord.
Vetëm gjatë vitit të fundit, kërkimet online për “këshilla për udhëtime solo” janë rritur mbi 5 mijë përqind.
Itineraret do të jenë të ndryshme, duke përfshirë udhëtimin tetëditor “Blue Danube for Solo Travellers” që viziton Vjenën, Budapestin dhe Salzburgun, si dhe lundrimin drejt Zvicrës nëpër lumin Rin. Për ata që kërkojnë aventura më të gjata, do të ketë udhëtime 15-ditore nga Budapesti deri në Detin e Zi apo në zemër të Evropës, që përfshijnë lumenjtë Rin, Main dhe Danub./AP/Katror.info