Agjencia indiane e hapësirës ISRO ka publikuar imazhet e para të dërguara nga anija kozmike Aditya-L1 nga udhëtimi i saj drejt Diellit.
Aditya-L1 u lançua të shtunën dhe është në një udhëtim prej 1.5 milionë kilometrash, i cili do të marrë katër muaj për të arritur në destinacionin e tij. Është një distancë që përfaqëson vetëm 1 për qind të distancës midis Tokës dhe Diellit, shkruan Katror.info
Misioni i parë diellor i Indisë filloi vetëm disa ditë pasi vendi u bë i pari që bëri me sukses një ulje të butë pranë polit jugor të Hënës.
ISRO publikoi sot dy foto të marra nga kamera e montuar në anijen kozmike Aditya-L1, të cilat janë realizuar më 4 shtator.
Një nga fotot tregon Tokën dhe Hënën në një kornizë, planeti ynë është i madh, ndërsa sateliti i tij natyror është një grimcë e vogël në distancë. Fotografia e dytë është një selfie që tregon dy nga shtatë instrumentet me të cilat është pajisur anija kozmike.
Misioni i parë hapësinor i Indisë i përqendruar në studimin e Diellit u emërua pas Surya, perëndisë Hindu të Diellit, e cili njihet gjithashtu si Aditya.
Emërtimi L1 tregon Pikën Langrange 1, vendin midis Diellit dhe Tokës në të cilin anija kozmike indiane po udhëton.
Agjencia Evropiane e Hapësirës ESA deklaron se kjo është pika në të cilën forcat gravitacionale të dy objekteve të mëdha, si Dielli dhe Toka, anulojnë njëra-tjetrën duke lejuar anijen të “notojë”.
Kur Aditya-L1 arrin “vendin e tij të parkimit”, ajo mund të rrotullohet rreth Diellit me të njëjtën shpejtësi si Toka, që do të thotë se anijes do t’i duhet shumë pak karburant për të funksionuar.
Që nga nisja e së shtunës, anija kozmike ka përfunduar tashmë dy manovra rreth Tokës dhe pas përfundimit të tre të tjerave, ajo do të shkojë drejt pikës L1.
Pas kësaj, ajo do të jetë në gjendje të vëzhgojë vazhdimisht Diellin dhe të kryejë kërkime shkencore.
ISRO nuk tha se sa kushtoi misioni, por spekulohet se ka kushtuar rreth 46 milionë dollarë. /Katror.info