Ansambli vokal “ReMusica”, nën dirigjimin e Rafet Rudit, do ta mbyllë festivalin “La Semaine du Son – De week van de Klank” në Bruksel me koncertin “Vitrail Albanese”. Aktivitetet nga “ReMusica” janë vlerësuar nga festivali belg si “një mundësi unike për të zbuluar lidhjen midis një tradite të pasur dhe të lashtë dhe tendencave të reja në muzikën bashkëkohore”. Ato do të mbahen më 5 shkurt në Bruksel.
Koncerti mbahet sot në një ndër sallat kryesore koncertale të Brukselit, në FLAGEY. Koncerti i Ansamblit Vokal ReMusica do të jetë në natën përmbyllëse të Festivalit “La Semaine du Son” 2023.
Ansambli vokal i Kosovës ReMusica është ansambël i formuar nga Festivali ReMusica. Ai karakterizohet për repertoarin e gjerë stilistik, duke filluar që nga muzika e vjetër, rilindja dhe baroku e deri te komponimet moderne shqiptare dhe muzika bashkëkohore botwrore. Nën udhëheqjen e dirigjentit Rafet Rudi, tetë profesionistë janë bashkuar për të shpalosur muzikën korale me një finesë, ndjeshmëri interpretative duke synuar një standard shumë kërkues.
Ansambli vokal ReMusica do të interpretojë xhevahire historike nga muzika pak e njohur shqiptare e shekujve 13 dhe 14 nga kompozitorët Gjergj Danush Lapacaj, Jan Kukuzeli, si dhe vepra nga repertori i një brezi të ri kompozitorësh nga Kosova dhe nga muzika bashkëkohore, thuhet në faqen e festivalit belg./Katror.info