Një studim i publikuar së fundmi zbulon një model të ri të inteligjencës artificiale, i mbështetur nga kompania Apple, i cili mund të parashikojë një gamë të gjerë gjendjesh shëndetësore. Ky model është trajnuar me të dhëna që burojnë nga sjellja e përdoruesve të pajisjes Apple Watch.
Studimi kërkimor, i titulluar “Përtej të dhënave të sensorëve: Modelet themelore të të dhënave të sjelljes me pajisjet që përmirësojnë parashikimet shëndetësore”, paraqet një model të të mësuarit makinerik që analizon sjelljen e përdoruesit për të treguar për problemet e mundshme shëndetësore, , njofton Macrumors.
Ndryshe nga metodat e mëparshme që përqendroheshin në të dhënat e sensorëve në kohë reale (si rrahjet e zemrës apo oksigjeni në gjak), modeli i ri identifikon modele në mënyrën se si njerëzit lëvizin, flenë dhe ushtrohen.
Në qendër të studimit është një model që studiuesit e quajnë Wearable Behavior Model (WBM). Ai analizon një nivel të lartë të metrikeve të sjelljes si numri i hapave, kohëzgjatja e gjumit, variabiliteti i rrahjeve të zemrës dhe lëvizshmëria, të gjitha të përllogaritura nga Apple Watch duke përdorur algoritme në pajisje.
Studiuesit zbuluan se kjo qasje i mundëson modelit të AI-së të zbulojë në mënyrë më efikase disa gjendje shëndetësore sesa modelet që bazohen vetëm në të dhëna biometrike të drejtpërdrejta. WBM tregoi rezultate veçanërisht të forta në identifikimin e gjendjeve shëndetësore statike (si për shembull nëse një person përdor beta-bllokues) dhe kalimtare (si cilësia e gjumit apo infeksionet respiratore).
Për zbulimin e shtatzënisë, modeli arriti deri në 92 për qind saktësi kur u kombinua me të dhënat tradicionale biometrike në një qasje hibride.
Apple mblodhi të dhëna për modelin përmes Studimit të Zemrës dhe Lëvizjes, që përfshin mbi 160 mijë pjesëmarrës që vullnetarisht ndajnë të dhënat përmes pajisjeve si Apple Watch dhe iPhone. Modeli është trajnuar mbi më shumë se 2.5 miliardë orë të dhëna dhe është vlerësuar në 57 detyra të ndryshme parashikimi shëndetësor.
Ai përdor një arkitekturë të të mësuarit makinerik të bazuar në seri kohore, e dizajnuar për të identifikuar ndryshimet në sjellje gjatë ditës apo javëve, duke e bërë të mundur identifikimin e gjendjeve shëndetësore që zhvillohen me kalimin e kohës, jo vetëm në moment.
Studiuesit pohojnë se pajisjet janë zhvilluar deri në atë pikë ku mund të mbështesin analiza të tilla të AI-së në shkallë të gjerë. Nëse një model i tillë do të integrohet në funksione të përdoruesit në të ardhmen mbetet ende e paqartë, por kjo tregon se hardueri aktual mund të shkojë shumë më tej në drejtim të analizës shëndetësore të saktë dhe inteligjente./Telegrafi./Katror.info