Kur një kitarist lëviz një tel të kitarës, ajo fillon të dridhet vazhdimisht, derisa ta gjejë fundin e ritmit. Është një varg i dridhjeve që përshkon krejt trupin e instrumentit. Dridhjet nisin rrugën nëpër telat e tjera dhe e zhvendosin ajrin brenda trupit të tij, me ç’rast shpërthen një notë muzikore.
Për të ndërtuar një instrument të tillë me dorë, mund të kalojnë muaj të tërë dhe gjatë prodhimit, haset nëpër vështirësi që për krijuesit e tyre është një pasion më vete. Por, kitara është folësi i tyre më i mirë dhe këtë e vërejmë edhe tek puna e mrekullueshme e gjithë lutierëve në botë të cilët kanë krijuar me një fjalë, “magji”, shkruan KultPlus.
Për vite të tëra, lutierët punonin vetëm me dorë. Tani ka makineri të mëdha që japin kontribut në përsosmërinë e instrumentit, por bukuria e të krijuarit diçka me duart e tua, do të mbetet përherë pjesë e pandashme e njeriut. I tillë është rasti edhe me lutierin e vetëm shqiptar në Kosovë, Arben Begaj, i cili në një intervistë për KultPlus, shpalos punën e tij unike me instrumentin e kitarës.
“Dëshira për të krijuar kitare ka lindur tash e 15 vite. Pas lindjes së djalit tim të dytë, dëshira ime për t’i krijuar atij një lodër, ka qenë e madhe, dhe me kalimin e kohës më është rritur interesi për këtë fushë. Në fillim, e kam marrë si sfidë dhe andaj e kam sfiduar veten për të ndërtuar tingullin. Pas një kohe të gjatë, kjo më është shndërruar në zanat.”
Kështu e nis rrëfimin Begaj, i cili ndër të tjera, thotë se procesi i ndërtimit të kitarës është një temë që nuk ka fund dhe duhet një kohë e gjatë për t’u kuptuar. Ai, veçoritë si serioziteti, durimi dhe preciziteti, i ka cilësuar si pika kyçe kur dëshira për të filluar e ndërtuar një kitarë, ekziston. Ndërkaq, dashuria e madhe dhe e pakrahasueshme është e nevojshme për këtë zeje që do shumë përkushtim dhe aspak nuk e parapëlqen dorëzimin.
Por, nëse tejkalohen të gjitha hapat e parë për të vazhduar drejt përballimit të vështirësive, pjesa teknike është krejt ajo se çka mbetet dhe e cila konsiderohet të jetë e lehtë vetëm atëherë kur prezent është përvoja, ushtrimi i pandalshëm dhe interesi i lartë.
“Deri më tani, nuk kam takuar asnjë mjeshtër tjetër që merret me këtë punë në Kosovë. Realisht, edhe nuk shoh mungesë në këtë fushë, pasi që me të vërtetë ka mjeshtër të mirë edhe pse çdo herë vetëm po mbesin më pak. Tek ne nuk ka ekzistuar si traditë, krijimi i kitarës, andaj edhe kjo është ajo që e bënë këtë punë shumë më të veçantë për mua”, thotë Begaj.
Një grumbull i drurëve është ajo çka i nevojitet kitarës. Pjesa e pasme dhe anët e saj, kanë nevojë për dru të fortë, ndërsa majat kërkojnë një lloj tjetër që është më e lehtë dhe fleksibile për të krijuar dridhjet e nevojshme për tingujt. Tani, druri duhet të prehet në copa më të vogla, asisoj që të përbëjnë trupin e një kitare (pjesa e sipërme, e pasme dhe anët). Duhet të maten mirë pjesët dhe madhësitë e tyre, në mënyrë që modeli specifik, të mos ketë të meta të dukshme.
Në shumicën e kitarave, e shohim një model lulesh të vendosura në mënyrë rrethore rreth vrimës së kitarës në mesin e trupit. Kjo ka qenë pjesa që e ka zbukuruar kitarën dhe që ka bërë të duket më tërheqëse në shikim. Edhe sot, shumica e kitarave kanë një “qëndisje” të tillë në trupat e tyre. Ndërkaq, ato që e mbështesin dhe e mbajnë trupin e kitarës në një formë precize, janë copat e holla të drurit në pjesën e poshtme dhe të sipërme, që faktikisht e bëjnë punën më të rëndësishme gjatë procesit. Ndonëse ky detaj nuk shihet pasi që përfundon puna, thyerja e atyre copave ka fuqinë që ta shkatërrojë komplet trupin e kitarës.
Magjia e lutierëve vërehet pikërisht edhe tek puna e tyre me drurin, lëmimin dhe përkuljet e tij. Shtypja, nxehtësia e avulli janë tjera elemente që shërbejnë për këndet e trupit të instrumentit. Ngjitësi, në anën tjetër, është thelbi më “pikant” në këtë proces. Ai luan rolin kryesor në bashkimin e skajeve të trupit të kitarës, duke i lidhur krejt nyejt mes vete. Tutje, lëmimi dhe mbushja, tharja dhe llaku, lustrimi, prerja e qafës dhe dërrasës, montimi i qafës, vendosja e urës, e të tjera, janë proceset e fundit që shkojnë drejt finalizimit të këtij instrumenti.
Në këtë pikë, tashmë kitara është gati për t’u luajtur. Por, se ku e gjen materialin për ta zhvilluar këtë proces, e tregon edhe vetë Begaj.
“Materialin kryesisht e marrë nga Zvicra kur më është e nevojshme për pjesën përpara ose fytyrën. Për kapakun përpara, furnizohem nga Spanja, ndërsa pjesët e tjera e kanë prejardhjen nga India, Afrika apo Amerika latine, pasi që druri është më ekzotik. Po ashtu, nga Gjermania zakonisht e marrë mekanizmin, apo dhe veglat teknike me të cilat punoj dhe që janë shumë të nevojshme”, ka thënë ai.
Kur flasim për interesimin për të porositur një instrument të tillë, Begaj thotë se ka relativisht një interesim të madh por duke marr parasysh gjendjen financiare të popullit, mundësia për të pasur një kitare të krijuar nga dora ose që është e bërë enkas për ta, është shumë e pakët.
“Unë të gjitha porositë i konsideroj si të veçanta më vete dhe të gjithat i punoj me shumë përkushtim. Mirëpo, parakusht është që ai/ajo të jetë i interesuar për kitarat e mia, për t’i luajtur ato apo edhe për të pasur qoftë edhe dashurinë ndaj këtij instrumenti. Ka pasur raste kur edhe kam bërë dhuratë ndonjë kitarë, dhe besoj që kjo do të ndodh prap edhe në të ardhmen”, thotë Begaj.
Tutje, ai thotë se ka shumë kitaristë të talentuar në Kosovë dhe pedagogë të mirë të kësaj fushe. Si dëshmi për këtë, ai përmend kitaristët kosovarë që kanë interpretuar nëpër arenat botërore si dhe nxënësit që e kanë kryer shkollën në Kosovë dhe tani ligjërojnë në botë.
Krejt për fund, ai ka treguar se a kanë të rinjtë interesim për këtë profesion kaq të veçantë.
“Për fat të keq, të rinjtë nuk kanë interes për shumë gjëra që krijohen nga dora, e aq më pak për artizanat”, ka thënë Begaj, i cili e ka përmbyllur intervistën me keqardhjen e tij në kuadër të mungesës së dashurisë ndaj këtij profesioni.
“Është me të vërtetë për keqardhje, por kështu është realiteti i hidhur që personalisht nuk më pëlqen aspak dhe besoj që kjo vlen edhe për shumë të tjerë.”/Katror.info
Marrë nga Kultplus.