Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka uruar kundërkandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, për fitoren në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielen në Kosovë.
“Rezultati i zgjedhjeve është shprehje e vullnetit tuaj dhe ky vullnet do ta ketë gjithmonë respektin tim. Urime kundërkandidatit tim për fitoren! I uroj suksese në punën e tij për Mitrovicën. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Mitrovicës dhe të të gjithë qytetarëve, me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për qytetin tonë”.
Ndryshe, pavarësisht se Exit Poll-et që u publikuan pas mbylljes së qendrave të votimit e nxorën Tahirin e PDK-së fitues të balotazhit, rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konfirmuan fitoren e Pecit të LVV-së në Mitrovicë të Jugut.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ka prodhuar një ndarje të re të pushtetit komunal në Kosovë, duke rivendosur balancën politike në disa qytete kyçe, përfshirë Mitrovicën e Jugut, e cila ndër vite është konsideruar bastion i PDK-së./AP/Katror.info











