Për shkak të efektit të çuditshëm që ka shpejtësia në kalimin e kohës, ngjarjet në periudhat më të hershme të kozmosit ndodhën pesë herë më ngadalë se sa sot.
Astronomët kanë vëzhguar efektin e zgjerimit të kohës në skajet e largëta të hapësirës, duke shënuar herën e parë që efekti i çuditshëm, i parashikuar nga Albert Einstein më shumë se 100 vjet më parë, është vërejtur në kozmosin e hershëm.
Ngjarjet ndodhën pesë herë më ngadalë kur universi ishte vetëm një miliard vjeç – një e dhjeta e moshës së tij aktuale – për shkak të mënyrës se si zgjerimi i kozmosit “shtrihet” me kalimin e kohës.
“Duke u kthyer në kohën kur universi ishte vetëm një miliard vjet i vjetër, ne shohim se koha rridhte pesë herë më ngadalë. Nëse do të ishit të pranishëm, në kozmosin e ri, një sekondë do të dukej si një sekondë, por nga këndvështrimi ynë, më shumë se 12 miliardë vjet më vonë, ajo kohë e hershme duket se po zvarritet”, shpjegon Gerald Lewis, profesor i astrofizikës në Universitetin e Sidneit, shkruan Katror.info
Sipas teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit, astronomët duhet t’i shohin ngjarjet e lashta kozmike më ngadalë se ato moderne. Efekti, i njohur gjithashtu si zgjerimi i kohës, ndodh për shkak të zgjerimit të universit, ashtu siç shpjegoi Ajnshtajni në vitin 1915.
Një nga pasojat e zgjerimit të kozmosit është se drita “shtrihet” ndërsa udhëton! Zgjerimi i hapësirës, ndikon edhe në kohë – një tjetër parametër në vazhdimësinë hapësirë-kohë.
Astronomët kanë parë shpërthime të yjeve në lëvizje të ngadalta më parë, duke ndodhur për gjysmë më ngadalë se sa ishin mësuar. Por përpjekjet për të vëzhguar zgjerimin e kohës në kozmosin e hershëm, duke vëzhguar galaktika të largëta jashtëzakonisht të ndritshme – kuazaret, nuk kanë dhënë rezultate.
Megjithatë, Lewis dhe kolegu i tij Dr Brandon Brewer i Universitetit të Auckland kryen një analizë të detajuar statistikore të 190 kuazarëve të vëzhguar gjatë dy dekadave të fundit dhe zbuluan se ngjarjet kozmike në të vërtetë ndodhën shumë më ngadalë në kozmosin më të hershëm.
Astronomi i Universitetit Kombëtar të Kanberrës në Australi, profesori Brian Schmidt, i cili fitoi çmimin Nobel në Fizikë në vitin 2011 për zbulimin e zgjerimit të përshpejtuar të universit, tha se përpjekjet e kolegëve të tij padyshim që hodhën poshtë shqetësimet e mëparshme se zgjerimi i kohës zhvillohet ndryshe në kuazarët./Katror.info