Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kërkon që të gjitha bizneset të cilat kryejnë shërbime “online” të lëshojnë kuponë fiskal.
Sipas ATK-së të gjithë personat se furnizimi i mallrave dhe/ose shërbimeve në mënyrë elektronike (përmes internetit) është një formë e tregtisë, ku tregtia dhe afarizmi në përgjithësi kryhen në të njëjtën mënyrë si në çdo treg tjetër. Tregtia në distancë, apo elektronike, ose e ashtuquajtur “online”, ndryshon vetëm në atë që prania personale e shitësit dhe blerësit nuk është e nevojshme që furnizimi të kryhet.
“Për të gjitha furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi. Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit (personin fizik jo-afarist), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore.
Kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale.”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
ATK porosit bizneset se aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes Pajisjeve Elektronike Fiskale.
“Kjo do të thotë se furnizuesi (shitësi) është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t’ia dërgojë klientit së bashku me produktin. Nëse do të lëshohet një kupon fiskal i veçantë për furnizimin e mallrave të porositura përmes internetit (online), varet nëse kostoja e dorëzimit (transportit) është përfshirë në atë çmim të furnizimit. Nëse kostoja e dorëzimit (transportit) përfshihet në çmimin e mallit të paguar nga klienti, kjo do të tregohet në kupon fiskal si artikull i veçantë. Megjithatë, nëse çmimi i paguar nga klienti i referohet vetëm mallrave pa kosto të dërgesës (transportit), atëherë kompania e transportit është e detyruar të lëshojë një kupon fiskal të veçantë për kostot e transportit. Në këto raste, kostot e dorëzimit (transportit) duhet të tregohen gjithmonë në vetë faqen e internetit, përmes së cilës furnizohen mallrat dhe/ose shërbimet.”, vijon njoftimi.
Po ashtu ATK porosit edhje qytetarët që në këto raste të kërkojnë kuponin fiskal./Katror.info