Sot, më 9 nëntor, në Kosovë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale (balotazhi) në 18 komuna, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e tyre që do të udhëheqin me komunat në katër vjetët e ardhshëm.
Në rundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, njëzet komuna siguruan kryetarë të rinj, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin në balotazhin e sotëm.
Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Në këto komuna, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale.
Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 316 mijë qytetarë me të drejtë votimi.
Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.
Prishtina dhe Prizreni – garat më të forta
Kryeqyteti mbetet arena kryesore e përplasjes politike.
Për më shumë se një dekadë, Prishtina ishte simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Këtë herë, balotazhi zhvillohet mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (LVV), me një diferencë minimale në rundin e parë – vetëm 0.5 për qind, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kandidatët – shkon përtej kandidatëve dhe lidhet me luftën e partive për pushtetin e tyre në kryeqytet, ndërtimin e bazës zgjedhore dhe krijimin e një bastioni politik në këtë komunë”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG).
Prishtina, si komuna më e madhe e vendit, ka rëndësi ekonomike dhe politike, duke e kthyer fitoren aty në avantazh strategjik për çdo parti.
Kjo, sipas Eminit, bën që fitorja në kryeqytet të përkthehet “në pushtet dhe ndikim në nivel nacional”.
Pas Prishtinës, gara më e vëmendshme zhvillohet në Prizren, ku përballen Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Artan Abrashi nga LVV-ja.
Mitrovica e Jugut – sfidë për bastionin tradicional
Një garë tjetër e rëndësishme, sipas Eminit, do të zhvillohet në Mitrovicën e Jugut, mes Faton Pecit të LVV-së dhe Arian Tahirit të PDK-së.
Emini e konsideron këtë betejë si veçanërisht të rëndësishme për Vetëvendosjen dhe për udhëheqësin e saj, Albin Kurti.
“… sepse Kurti e ka zhvilluar garën nacionale me ndryshimin e situatës në Mitrovicën e Veriut, si narrativ. Angazhimi i kandidatit më të fortë të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo (Faton Peci) tregon rëndësinë që kjo garë ka për partinë. Kjo sfidon direkt bastionin e PDK-së – gjë që është shumë domethënëse”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë./REL/Katror.info
















