Beteja mes filmave të porsa lansuar, “Barbie” dhe “Oppenheimer” duket të mos ketë përfunduar ende, dhe e njëjta veç se po bëhet më e nxehtë.
Shtatë ditë pasi projekti i regjisores Greta Gerwig dhe ai i Christopher Nolanit u betuan për të vendosur rekorde në arkat filmike, të dy filmat po shënojnë performancë jashtëzakonisht të mirë nëpër kinema.
Kësisoj, edhe në javën e dytë, “Barbie” arriti t’i arkëtojë 93 milionë dollarë, të cilat i shtohen shumës totale të arkëtuar deri më tani prej 351 milionë sosh.
Kjo e vërteton edhe një herë që interesimi i publikut në Amerikë dhe Kanada për projektin e mbushur me ngjyrë rozë, po vazhdon të jetë i madh.
Renditja tabelare nuk ka ndryshuar as për vendin e dytë, pasi që edhe në këtë pozitë, përsëri është pozicionuar filmi “Oppenheimer”, i cili ka arritur të shes bileta në vlerë prej 46.2 milionë dollarësh ekstra.
Në anën tjetër, nga shfaqjet nëpër kinematë e Amerikës Veriore, ky projekt ka arritur t’i mbledhë gjithsej 174 milionë dollarë.
“Barbie” dhe “Oppenheimer” janë pasuar nga “Haunted Mansion”, një film që arriti të pozicionohej në vendin e tretë, e që i njëjti debutoi në arkat filmike me gjithsej 24 milionë dollarë të fituara.
Në vendin e katërt është renditur “Sound of Freedom”, me 24 milionë dollarë të fituara këtë javë, që i shtohen shumës së arkëtuar për katër javë, një shifre prej 149 milionë dollarësh.
Top-pesëshja është plotësuar me filmin aksion të yllit hollywoodian Tom Cruise, “Mission: Impossible — Dead Reckoning Part One”.
Në javën e tretë të shfaqjes ky projekt shiti bileta në vlerë prej 10.7 milionë dollarësh, ndërsa deri më tani në arkat filmike të Amerikës Veriore ka arritur që t’i mbledhë më afërsisht 140 milionë dollarë./Katror.info