Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka konfirmuar emërimin e Bardh Krasniqit në krye të Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës.
Largimi i drejtorit të Sportit, Granit Rugova, ka bërë që kryetari Rama të emëroj pasuesin e tij dhe këtë e ka njoftuar në profilin e tij zyrtar.
Bëhet fjalë për një ish-basketbollist tjetër, Bardh Krasniqin, i cili nga sot (e enjte) do të ushtroj detyrën e re.
“Ai do të punojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme e të shumta këtë vit në Prishtinën tonë, e shpallur “Qytet i Sportit”.
Po ashtu, Bardhi do të angazhohet për realizimin e projekteve për ta bërë kryeqytetin gati për “Lojërat Mesdhetare 2030”, gjë që jemi të bindur se do t’ja arrijë fal sukseseve akademike në Stamboll, dhe profesionalizmit të tij të treguar ndër vite në themelimin, menaxhimin e shumë kompanive dhe projekteve në fushën e telekomunikimit brenda dhe jashtë vendit.
Falënderoj për punën e palodhshme deri tani në drejtorinë e sportit, ish drejtorin Granit Rugova“, thuhet në njoftimin e Ramës./Katror.info