Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen për mbështetjen financiare për studentët shqiptarë.
Veliaj u shpreh se aplikimet janë hapur dhe se interesi i lartë nga 50 vende të ndryshme, na vë para një përgjegjësie edhe më të madhe.
“Fakti që njerëzit janë përpjekur dhe e kanë marrë kaq seriozisht hapjen e këtij kampusi na bën jo vetëm të përkushtohemi në infrastrukturë, siç është zyra e Kolegjit të Evropës tek Piramida apo kampusi i përkohshëm tek “Qyteti Studenti”, salla “Liria”, por edhe të jemi gjithashtu bashkëpunues me financat tona”, tha Veliaj.
Rektorja Mogherini u shpreh se kryeqyteti shqiptar ofron shumë element për të mikpritur studentë edhe nga vendet e tjera.
“Do të sjellim studentë nga të gjitha vendet e Europës. Qyteti, pikë së pari ofron shumë elementë tërheqës. Shohim që kanë aplikuar shumë studentë dhe mendoj se kjo është për arsye akademike, por jam e sigurt që ndodh kështu edhe për shkak të bukurisë së qytetit, të motit, të ushqimit, të jetës kulturore, mjedisit kumbues që ofron qyteti. Jam e sigurt se studentët tanë, fakulteti ynë, stafi ynë, do të përfitojë jashtëzakonisht, duke qenë i integruar në qytet”, tha Mogherini.
Ajo shtoi se kjo mbështetje për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore është edhe një investim i shkëlqyer për qytetet, shkruan Top Albania Radio.
Kreu i Bashkisë siguroi se janë marrë të gjithë masat e nevojshme për të mikpritur studentët që do të vijnë në Tiranë për të ndjekur Kolegjin e Europës.
“Ne do të jemi gati me një kampus të përkohshëm në “Qytetin Studenti”. Kampusi i përkohshëm do të zgjasë ndoshta 2-3 vite, sa të bëhet kampusi përfundimtar në zonën e ish terminalit të autobusëve”, tha Veliaj.
Kampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë do të ofrojë një program akademik të standarde europiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian, dhe më gjerë dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik. Ai u përurua më 16 tetor, ditën që në Tiranë u mbajt edhe Samiti i Procesit të Berlinit, ku e pranishme ishte edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen./Katror.info