Komisioni Evropian ka paralajmëruar 27 vendet anëtare të BE-së se do të përdorë “çdo mjet në dispozicion”, përfshirë procedurat e shkeljes, për të siguruar zbatimin e Aktit Evropian për Lirinë e Medias. Ky ligj i ri, i cili hyri në fuqi në maj, synon të mbrojë median nga ndërhyrjet politike, presioni ekonomik dhe spiunazhi.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi ligjin si “një shtyllë të demokracisë”, duke theksuar se liria dhe pluralizmi mediatik janë vlera të panegociueshme.
Çfarë kërkon Akti i Medias?
Ligji i ri fokusohet në disa pika kryesore:
Transparencë: Kërkon transparencë në pronësinë e mediave.
Mbrojtja e gazetarëve: Kufizon përdorimin e programeve spiune dhe mbron gazetarët nga frikësimi dhe ndërhyrjet politike.
Siguria e punës: Siguron që gazetarët të mund të punojnë “në mënyrë të sigurt, të lirë nga presioni dhe frika”.
Ndërsa disa rregulla specifike do të hyjnë në fuqi në vitin 2027, thelbi i reformës tashmë është në fuqi dhe Brukseli është i vendosur ta zbatojë atë me rigorozitet./RTSH