Kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka njoftuar se do të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga kreu i kësaj partie.
Vendimin për të garuar për kryetar të PDK-së Hamza e bëri publik përmes një postimi në Facebook gjatë ditës së enjte.
“Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend. Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja”- ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Hamza ka falënderuar drejtuesit e mëhershëm të PDK-së Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për, siç ka shkruar ai, udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash.
“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”- ka shkruar Hamza. /Katror.info











